Kina synon të përdorë inteligjencën artificiale për të forcuar avantazhin konkurrues të sektorit të softuerit

foto nga VCG

Kina ka prezantuar një plan veprimi të posaçëm për të përshpejtuar integrimin e inteligjencës artificiale (IA) në industrinë e saj të softuerëve dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit, me synimin për të riformuar konkurrueshmërinë thelbësore të sektorit.

Plani, i publikuar nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, përcakton një udhërrëfyes me dy faza. Deri në vitin 2028, Kina synon të rrisë ndjeshëm nivelin e inteligjencës në industrinë e saj të softuerëve, duke zhvilluar mjete kodimi dhe platforma zhvillimi të standardeve të larta, si dhe duke zgjeruar përdorimin e tyre në më shumë se 20,000 ndërmarrje të mëdha softuerike.

Ndërkohë, plani parashikon gjithashtu krijimin e 100 aplikacioneve model për softuerë të bazuar në agjentë (agent-based software) në industri kyçe dhe mbështetjen e zhvillimit të të paktën pesë projekteve me burim të hapur (open-source) të cilësisë së lartë.

Plani parashikon një ndryshim rrënjësor në integrimin e IA-së me sektorin e softuerëve, duke përfshirë përmirësime të plota inteligjente në sistemet kritike të softuerëve deri në vitin 2030. Programimi i mbështetur nga IA, softuerët me agjentë dhe shërbimet inteligjente, pritet të shfaqen si motorë të rinj rritjeje, të mbështetur nga komunitete “open-source” dhe klasterë industrialë konkurrues në nivel ndërkombëtar.

Aktualisht, IA po transformon rrënjësisht mënyrën se si zhvillohet softueri, pamjen e produkteve dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve, duke u bërë motori kryesor që nxit modernizimin industrial.

Ky plan veprimi është më i fundmi në një seri masash politike, ndërsa Kina përpiqet të integrojë IA-në në të gjithë ekonominë e saj.

Raporti i punës së qeverisë e ka përfshirë nismën “AI Plus” për tre vite radhazi dhe, veçanërisht këtë vit, ka bërë thirrje për “krijimin e formave të reja të ekonomisë inteligjente”.

IA ka evoluar nga një mjet mbështetës në një motor thelbësor të transformimit ekonomik, i cili do të riformojë sistematikisht themelet e funksionimit të ekonomisë, thanë analistët.

Autoritetet parashikojnë se sektori kinez i lidhur me IA-në, do të kalojë vlerën totale prej 10 trilionë juanësh deri në vitin 2030.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni