foto nga VCG
Forumi i nëntë i Paqes i Parisit u mbajt në kryeqytetin francez më 10–11 nëntor. Gjatë forumit, ndikimi global i Kinës u shfaq si temë kyçe. Me fokus në forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh për përballimin e sfidave globale në fushën e sigurisë, klimës, teknologjisë dhe zhvillimit, forumi përfshiu diskutime mbi mënyrën se si vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin duke ruajtur sovranitetin, për të trajtuar në mënyrë efektive krizat botërore.
Kong Quan, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Gjashtë Ekonomik dhe Shoqëror të Kinës, ish-zëvendësdrejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme dhe ish-ambasador i Kinës në Francë, mori pjesë në forum dhe foli në një sesion me temë “Kuptimi i rolit dhe ndikimit global të Kinës”. Në fjalimin e tij, Kong i përshkroi “përgjegjësinë”, “respektin e ndërsjellë”, “multilateralizmin” dhe “bashkëpunimin e bazuar në respektimin e sovranitetit” si katër termat kryesore që ndihmojnë për të kuptuar më mirë politikën e jashtme të Kinës.
Kong tha se Kina ka përgjegjësinë kryesore për të promovuar zhvillimin e saj ekonomik e shoqëror, i cili sjell gjithashtu përfitime për pjesën tjetër të botës. Ai shtoi se Kina ndjek bashkëpunimin me dobi reciproke mbi parimin e “harmonisë pa uniformitet”, ndërkohë që mbron me vendosmëri interesat e saj kombëtare. Duke vënë në dukje që Kina kundërshton përballjen mes blloqeve dhe mbron multilateralizmin, Kong tha se Kina mbështet sistemin ndërkombëtar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në qendër dhe kërkon përfaqësim më të madh dhe një zë më të fortë për vendet e Jugut Global në çështjet ndërkombëtare.
Ai gjithashtu vuri në dukje që sovraniteti dhe bashkëpunimi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin dhe se Kina respekton sovranitetin e të gjitha vendeve dhe i merr seriozisht shqetësimet legjitime të sigurisë të tyre. Kong tha se Kina është një partnere e besueshme dhe strategjikisht e qëndrueshme, që u përmbahet angazhimeve të saj dhe vazhdimisht krijon mundësi për vendet e tjera që të zhvillohen dhe të zgjerojnë bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai theksoi që Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të çuar përpara zbatimin e Nismës së Qeverisjes Globale dhe për të ndërtuar një sistem më të drejtë dhe të barabartë të qeverisjes globale.
Forumi dyditor, me temën “Nga sovraniteti te bashkëpunimi”, mblodhi më shumë se 350 folës globalë në më shumë se 80 sesione diskutimi. Rendi i ditës përfshinte katër çështje kryesore: paqen dhe gjeopolitikën, planetin, zhvillimin dhe teknologjitë e reja.