Foto nga VCG
Forcat Ajrore të Kinës do të prezantojnë për herë të parë avionin e madh ushtarak transportues Y-20B, të prodhuar në vend, në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Aviacionit dhe Hapësirës Ajrore të Kinës, e njohur edhe si “Airshow China”, shkruan “Xinhua”.
Kjo shfaqje synon të demonstrojë përparimet më të fundit në kapacitetet e aviacionit ushtarak të vendit.
Forcat Ajrore njoftuan se në ekspozitën që do të mbahet në Zhuhai, në provincën Guangdong, nga data 7 deri më 13 dhjetor, do të prezantohen mbi 60 pajisje të ndryshme, të ndara në 33 kategori.
Aktiviteti do të përfshijë demonstrime në fluturim dhe ekspozime statike, duke shfaqur pajisjet më të reja dhe arritjet në modernizimin e Forcave Ajrore.
Foto nga VCG
Gjatë demonstrimeve në fluturim, aftësitë e tyre do t’i shfaqin avionët luftarakë “stealth”, të padukshëm për radarët, J-35A dhe J-20A, avioni luftarak shumëfunksional J-16, si dhe avioni transportues Y-20B dhe ai për furnizim me karburant në ajër, YY-20A.
Gjithashtu, do të marrë pjesë edhe grupi i akrobacisë ajrore “Bayi” i Forcave Ajrore Kineze, së bashku me dy ekipe të huaja, “Russian Knights” të Forcave Hapësinore-Ajrore Ruse dhe “Al Fursan” të Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përveç Y-20B, Forcat Ajrore do të shfaqin për herë të parë në tokë një sistem radari të gjeneratës së re për paralajmërim të hershëm, si dhe pajisje të tjera.
Vizitorët do të kenë mundësinë të vizitojnë hapësirën e ngarkesave të avionit Y-20B dhe të marrin pjesë në simulime fluturimi. Në ekspozitë do të performojë edhe banda muzikore ushtarake e Forcave Ajrore.
Po ashtu, në program parashikohen aktivitete ndërvepruese në zona të dedikuara për rekrutimin, zhvillimin e talenteve, arsimimin ushtarak, kontrollin e trafikut ajror dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Këto aktivitete përfshijnë prezantime, konsultime, operacione të simuluara dhe përvoja gjithëpërfshirëse.

Foto nga VCG
Ekspozita përkon me 30-vjetorin e “Airshow China”. Drejtues të Forcave Ajrore dhe përfaqësues nga vende të ndryshme do të marrin pjesë në shkëmbime ndërkombëtare mbi trajnimin e fluturimeve ushtarake, si dhe në një forum kushtuar sistemeve inteligjente pa pilot, të organizuar nga Forcat Ajrore Kineze.