Shkencëtarë dhe ekspertë mblidhen në Guangzhou për Konferencën Botërore të Shkencave të Jetës

Ceremonia e hapjes së Konferencës Botërore të Shkencave të Jetës 2026 në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave “Baiyun” në Guangzhou, më 28 nëntor 2026. / Konferenca Botërore e Shkencave të Jetës 2026

Me temën “Shkencat e jetës: Hapje, integrim dhe inovacion”, Konferenca Botërore e Shkencave të Jetës 2026 u hap të shtunën në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave “Baiyun” në Guangzhou.

Chong Kang, një nga kryetarët e komitetit organizator të konferencës dhe kryetar i radhës i Unionit Kinez të Shoqatave të Shkencave të Jetës, u shpreh në ceremoninë e hapjes se shkencat e jetës i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë thelbin e jetës dhe të mbrojnë shëndetin, duke ofruar gjithashtu mbështetje kyçe për përballimin e sfidave globale në fusha si shëndetësia, ushqimi, mjedisi e energjetika.

Chong theksoi se, me thellimin e vazhdueshëm të integrimit ndërdisiplinor, teknologjitë e reja, si inteligjenca artificiale (AI) dhe të dhënat e mëdha, po e përshpejtojnë më tej këtë prirje, duke krijuar mundësi të pashoqe për zhvillimin e shkencave të jetës.

Konferenca synon të paraqesë arritjet më të fundit në shkencat e jetës dhe të eksplorojë rrugë të reja për inovacionin shkencor e teknologjik. Chong shprehu shpresën që kjo veprimtari do të bashkojë studiues e ekspertë nga mbarë bota për të eksploruar kufijtë e rinj të shkencave të jetës, për të nxitur bashkëpunimin e hapur dhe për të siguruar që kërkimi shkencor të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe të sjellë përfitime për njerëzit në mbarë botën.

Ni Zhiyu, anëtare e Grupit Drejtues të Anëtarëve të Partisë dhe sekretare e Sekretariatit të Shoqatës Kineze për Shkencën dhe Teknologjinë, u shpreh në fjalimin e saj se Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të shkencave të jetës, e konsideron mbrojtjen e shëndetit publik si një përparësi strategjike kombëtare dhe ka marrë vendime e masa të rëndësishme strategjike për avancimin e nismës “Kina e Shëndetshme”.

Konferenca, që zhvillohet nga 28 deri më 30 nëntor, organizohet bashkërisht nga Unioni Kinez i Shoqatave të Shkencave të Jetës dhe Universiteti “Sun Yat-sen”. Gjatë konferencës do të mbahen 11 fjalime kryesore të nivelit të lartë, ku do të prezantohen arritjet më të përparuara në fusha të ndryshme të shkencave të jetës. Gjithashtu, 37 nënforume do të trajtojnë një gamë të gjerë temash, nga modifikimi gjenetik dhe mjekësia e precizionit e mbështetur nga inteligjenca artificiale, deri te sistemet e shëndetit publik dhe qeverisja gjithëpërfshirëse e shëndetësisë.

Konferenca shërben si një platformë e rëndësishme për komunitetin botëror të shkencave të jetës, duke mundësuar shkëmbimin e arritjeve më të fundit shkencore dhe thellimin e bashkëpunimit të hapur.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni