Foto nga VCG
Sipas të dhënave të Federatës Kineze të Logjistikës dhe Blerjeve, nga janari deri në tetor vlera e përgjithshme e logjistikës në Kinë arriti në 312.4 trilionë juanë, me një rritje prej 4.8 % në bazë vjetore. Sektori i logjistikës ruajti prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm, me përmirësim të cilësisë dhe efikasitetit.
Kërkesa për logjistikë industriale shfaqi një prirje të dukshme drejt përmirësimit strukturor. Nga janari deri në tetor, vlera e përgjithshme e logjistikës së produkteve industriale në Kinë u rrit 5.3 % në bazë vjetore. Në tetor, kërkesa për logjistikë në industrinë e prodhimit të pajisjeve u shtua 10.6 %, ndërsa ajo në industrinë prodhuese të teknologjisë së lartë 17.6 %, duke shënuar ritmin më të lartë të rritjes mujore në afro pesë vjet.
Foto nga VCG
Struktura e kërkesës për logjistikën e mallrave të importuara vazhdoi të përmirësohej. Nga janari deri në tetor, vlera e përgjithshme e logjistikës së mallrave të importuara në Kinë u ul 0.6 % në bazë vjetore, por pesha e produkteve me vlerë të shtuar të lartë u ngrit. Vlera e importeve të produkteve mekanike dhe elektrike, si edhe e produkteve të teknologjisë së lartë, u shtua përkatësisht me 35 % dhe 44.4 % në bazë vjetore.
Kërkesa për logjistikë në fushën e konsumit të përditshëm dhe të logjistikës së gjelbër u ngrit në mënyrë të qëndrueshme. Nga janari deri në tetor, shitjet me pakicë të mallrave në internet në Kinë arritën në 10.7 trilionë juanë, me një rritje prej 2.9 % në bazë vjetore. Modelet e reja të konsumit, si shitja me pakicë me dërgesë të menjëhershme, janë bërë faktorë të rinj nxitës të rritjes së konsumit në internet. Vlera e përgjithshme e logjistikës së burimeve të riciklueshme u shtua me 2.8 % në bazë vjetore, ndërsa zhvillimi i industrisë së automjeteve me energji të re dhe i materialeve të gjelbra mbështeti rritjen e kërkesës për logjistikë të gjelbër.
Oferta e shërbimeve logjistike vazhdoi të zgjerohej në mënyrë të qëndrueshme. Nga janari deri në tetor, të ardhurat e përgjithshme të sektorit të logjistikës në Kinë arritën në 12.3 trilionë juanë, me një rritje prej 4.2% në bazë vjetore. Numri i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë arriti në 18 600, duke u shtuar 14.6 %. Të ardhurat e ndërmarrjeve kryesore të logjistikës u rritën 6.5 % në bazë vjetore, ndërsa shpenzimet për transformimin digjital u ngritën me mbi 20 %, duke shënuar një përmirësim të vazhdueshëm të efikasitetit operacional.

Foto nga VCG
Liu Yuhang, kryeinxhinier i Federatës Kineze të Logjistikës dhe Blerjeve, u shpreh që, me ardhjen e sezonit të pikut të logjistikës në fund të vitit, shfaqjen e mëtejshme të efekteve të politikave përkatëse dhe përshpejtimin e transformimit digjital, inteligjent e të gjelbër, sektori i logjistikës pritet të ruajë gjatë gjithë vitit prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përmirësimit të cilësisë e efikasitetit, duke ofruar mbështetje të fuqishme për rimëkëmbjen dhe zhvillimin pozitiv të ekonomisë reale.