Në historinë moderne të Kinës, planet pesëvjeçare kanë qenë dhe janë shumë më tepër sesa dokumente ekonomike. Ato kanë përfaqësuar mënyrën se si shteti kinez ka organizuar transformimin e tij kombëtar, duke kaluar nga një ekonomi e izoluar në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Për dekada me radhë, këto plane kanë shërbyer si mekanizma koordinues për zhvillimin industrial, modernizimin teknologjik, reduktimin e varfërisë dhe forcimin gradual të pozitës së Kinës në sistemin ndërkombëtar.
Plani i 15-të Pesëvjeçar, që mbulon periudhën 2026–2030 dhe u miratua nga Kongresi Kombëtar Popullor në mars të vitit 2026, vjen në një periudhë të rëndësishme për Kinën dhe ekonominë globale. Bota po kalon një fazë të thellë tensionesh gjeopolitike, fragmentimi tregtar, konkurrenca për teknologjitë strategjike dhe tranzicioni energjetik po ndryshojnë mënyrën se si shtetet ndërtojnë modelet e tyre të zhvillimit. Në këtë kontekst, dokumenti i ri strategjik i Pekinit duhet parë si një përpjekje për të përcaktuar drejtimin afatgjatë të modernizimit kinez. Ai nuk fokusohet vetëm te rritja ekonomike në kuptimin tradicional, por te ndërtimi i një ekonomie më të avancuar teknologjikisht, më të integruar në nivel kombëtar dhe më të aftë për t’u përballur me pasiguritë e jashtme.
“Skica e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Social të Republikës Popullore të Kinës”, siç quhet zyrtarisht, është një dokument orientues që vendos prioritetet kryesore për institucionet qendrore, provincat, bashkitë dhe sektorët strategjikë të ekonomisë. Në sistemin kinez, plani pesëvjeçar nuk mbetet vetëm në nivel deklarativ. Objektivat dhe treguesit e tij ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e politikave publike, në shpërndarjen e burimeve dhe në vlerësimin e performancës së zyrtarëve lokalë dhe kuadrove të Partisë Komuniste të Kinës (PKK). Kjo është një nga karakteristikat më të veçanta të modelit kinez të planifikimit: aftësia për të koordinuar institucione, industri dhe rajone të ndryshme përreth objektivave afatgjata kombëtare. Në një ekonomi me përmasa kontinentale dhe me mbi 1.4 miliardë banorë, ky koordinim konsiderohet nga Pekini si një element kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimësisë së zhvillimit.
Një element interesant i Planit të 15-të është se ai reflekton edhe evolucionin gradual të vetë modelit të planifikimit ekonomik kinez. Numri i treguesve kryesorë është reduktuar krahasuar me planet e mëparshme. Nëse Plani i 13-të Pesëvjeçar përmbante 33 tregues, Plani i 15-të ka 21, ndërsa numri i objektivave të detyrueshëm është ulur ndjeshëm. Kjo sugjeron se Kina po kalon gradualisht nga një model i orientuar kryesisht nga objektivat sasiorë drejt një modeli më fleksibël, ku rëndësi më të madhe kanë cilësia e zhvillimit, dhe transformimi strukturor i ekonomisë. Në vend të fokusit vetëm te ritmet e rritjes së PBB-së, dokumenti i ri i kushton më shumë vëmendje produktivitetit, teknologjisë, sigurisë industriale dhe zhvillimit afatgjatë.
Theksi kryesor zhvendoset dukshëm drejt inovacionit teknologjik dhe modernizimit industrial. Termat më të përsëritur në dokument janë “Forcat e Reja Prodhuese me Cilësi të Re”, “Autonomia Teknologjike”, “Sistemi Modern Industrial” dhe “Tregu i Unifikuar Kombëtar”. Këto koncepte tregojnë qartë ambicien e Kinës për të ndërtuar një ekonomi më të avancuar teknologjikisht dhe më pak të varur nga teknologjitë perëndimore.
Në qendër të Planit qëndron koncepti i “Forcave të Reja Prodhuese me Cilësi të Re”, një term që është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në diskursin ekonomik kinez gjatë viteve të fundit. Ky koncept lidhet me zhvillimin e sektorëve të avancuar teknologjikë, integrimin e inteligjencës artificiale në industri, automatizimin, ekonominë digjitale dhe forcimin e kapaciteteve inovative vendase.
Për Pekinin, modernizimi kinez nuk mund të mbështetet më vetëm te prodhimi me kosto të ulët apo eksportet tradicionale. Objektivi është krijimi i një ekonomie me vlerë të lartë të shtuar, ku teknologjia dhe inovacioni të bëhen motorët kryesorë të rritjes. Kina e konsideron forcimin e kapaciteteve të saj shkencore dhe industriale si një nevojë strategjike në kushtet e konkurrencës së re globale dhe kufizimeve teknologjike të vendosura ndaj kompanive kineze në disa sektorë të ndjeshëm.
Në këtë kuadër, kërkimi shkencor dhe teknologjitë e së ardhmes marrin një rol më të madh se në planet e mëparshme. Dokumenti përmend fusha si inteligjenca artificiale, informatika kuantike, energjia e bashkimit, dhe bioteknologjia si drejtime prioritare për zhvillimin e ardhshëm.
Veçanërisht domethënës është theksi mbi aplikimin industrial të inteligjencës artificiale. Kina nuk e trajton inteligjencën artificiale (IA-në) vetëm si një sektor teknologjik më vete, por si një instrument për transformimin e ekonomisë reale, nga prodhimi industrial te logjistika, shërbimet publike dhe administrimi urban. Në këtë drejtim, qasja kineze ndaj zhvillimit teknologjik duket më e orientuar drejt implementimit praktik dhe integrimit të shpejtë në ekonomi. Kjo reflektohet edhe te mbështetja për modele më të hapura inovacioni dhe për përhapjen më të gjerë të teknologjive të reja në industri.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e Planit është ndërtimi i “Tregut të Unifikuar Kombëtar”. Për vite me radhë, ekonomia kineze është përballur me fragmentime rajonale, standarde të ndryshme administrative dhe barriera lokale që kufizonin qarkullimin e lirë të faktorëve ekonomikë. Përmes këtij koncepti, Pekini synon të krijojë një treg më të integruar kombëtar, ku kapitali, teknologjia, të dhënat dhe fuqia punëtore të lëvizin më lirshëm ndërmjet rajoneve. Në filozofinë ekonomike të Planit, ky integrim duhet të ndihmojë në rritjen e produktivitetit dhe në forcimin e ekonomisë së brendshme.
Produktiviteti mbetet një nga temat qendrore të planit. Udhëheqja kineze e konsideron rritjen e “Produktivitetit Total të Faktorëve” si thelbësore për kalimin drejt zhvillimit me cilësi të lartë. Edhe pse koncepti nuk është përfshirë si tregues formal në tabelën kryesore të objektivave, ai përmendet vazhdimisht si një element strategjik për modernizimin e ekonomisë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është tranzicioni i gjelbër. Ndryshe nga perceptimet që e paraqesin zhvillimin industrial dhe mbrojtjen e mjedisit si procese kontradiktore, Plani i 15-të përpiqet t’i lidhë të dyja. Dokumenti prezanton një tregues të ri mbi intensitetin e karbonit të ekonomisë, në përputhje me objektivat afatgjata të Kinës për arritjen e kulmit të emetimeve para vitit 2030 dhe neutralitetit të karbonit deri në vitin 2060. Kjo tregon se tranzicioni energjetik nuk shihet vetëm si një detyrim mjedisor, por edhe si pjesë e transformimit industrial dhe teknologjik të vendit.
Në planin ekonomik, kërkesa e brendshme vazhdon të konsiderohet prioritet strategjik. Autoritetet kineze janë të vetëdijshme se ekonomia globale po bëhet më pak e qëndrueshme dhe se mbështetja e tepërt te eksportet mund të krijojë tensione të reja tregtare dhe varësi të panevojshme nga tregjet e jashtme. Për këtë arsye, Plani synon të forcojë konsumin e brendshëm dhe të zgjerojë klasën e mesme. Megjithatë, qasja kineze ndaj këtij objektivi mbetet e lidhur me rritjen graduale të të ardhurave, përmirësimin e punësimit, investimin në arsim dhe zgjerimin e shërbimeve publike, më shumë sesa me politika të drejtpërdrejta rishpërndarëse. Megjithatë, Plani nuk jep sinjale për ndryshime të menjëhershme dhe radikale në modelin ekonomik. Përkundrazi, ai reflekton një qasje graduale dhe të kontrolluar, ku stabiliteti ekonomik dhe social mbetet prioritet.
Së fundmi, Plani i 15-të Pesëvjeçar përfaqëson vazhdimin e përpjekjes së Kinës për të ndërtuar një model modernizimi me karakteristika kineze, një model që synon të kombinojë zhvillimin teknologjik, kapacitetin industrial, stabilitetin social dhe planifikimin afatgjatë shtetëror. Në një periudhë ku shumë ekonomi po përballen me polarizim politik, paqëndrueshmëri ekonomike dhe pasiguri strategjike, Kina po përpiqet të ruajë vazhdimësinë e planifikimit afatgjatë dhe gradual.
Në Kinë, planet pesëvjeçare nuk janë thjesht dokumente burokratike apo lista objektivash ekonomike. Ato janë një pasqyrë e qartë e drejtimit strategjik të shtetit, një hartë politike dhe ekonomike që tregon jo vetëm se ku synon të shkojë vendi, por edhe mënyrën se si PKK-ja synon ta transformojë shoqërinë, ekonominë dhe teknologjinë kineze në dekadën e ardhshme.
AIGS