Të dhënat me frekuencë të lartë të tremujorit të tretë tregojnë prirjen pozitive të ekonomisë kineze

Foto nga VCG

Sipas Qendrës Kombëtare të Informacionit pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, gjatë tremujorit të tretë, një sërë treguesish me frekuencë të lartë në fushat e konsumit, tregtisë së jashtme dhe investimeve shënuan përmirësim të qëndrueshëm. Ekonomia kineze vijoi të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, me përmirësim të cilësisë së rritjes dhe forcim të vazhdueshëm të faktorëve nxitës të saj.

Në fushën e konsumit, vlera e pagesave për konsumin në dyqanet fizike u ngrit 2.6 % në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 0.7 pikë përqindjeje më shumë se gjatë tremujorit të dytë. Në shtator, rritja vjetore arriti në 3.1 %, duke shënuar përshpejtim për tre muaj radhazi. Sipas një përfaqësuesi të Qendrës Kombëtare të Informacionit, politikat për nxitjen e konsumit kanë vazhduar të japin rezultate, ndërsa gatishmëria e banorëve për të konsumuar është përmirësuar, duke mbështetur zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe stabilizimin e rritjes ekonomike.

Foto nga VCG

Në tregtinë e jashtme, tonazhi mbajtës i anijeve të mallrave që u nisën nga portet kryesore kineze dhe i atyre që mbërritën në to u rrit përkatësisht 43.1 % dhe 0.3 % në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ritmet e rritjes u përshpejtuan përkatësisht 43.0 dhe 0.7 pikë përqindjeje në krahasim me tremujorin e dytë. Në shtator, këta dy tregues u ngritën përkatësisht 53.2 % dhe 4.5 %, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe dinamizmin e tregtisë së jashtme kineze.

Në fushën e investimeve, vlera e bonove të reja të posaçme të emetuara në mbarë vendin gjatë shtatorit u rrit me 50.2 % në bazë vjetore. Në tremujorin e tretë, vlera e kontratave të fituara për projektet e reja infrastrukturore u ngrit 34.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në shtator rritja arriti në 50.4 %. Investimet kapitale në fushat e teknologjisë së përparuar, si inteligjenca artificiale dhe robotët humanoidë, u shtuan 184.1% në tremujorin e tretë dhe 198.7% në shtator, në bazë vjetore.

Foto nga VCG

Një përfaqësues i Qendrës Kombëtare të Informacionit theksoi se politikat për stabilizimin e investimeve vazhdojnë të japin rezultate, mbështetja financiare është forcuar dhe investimet në sektorët e teknologjisë së përparuar po ruajnë një ritëm të fuqishëm rritjeje. Kjo jo vetëm mbështet qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, por krijon edhe kushte për zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni