Ministria e Tregtisë e Kinës / VCG
Kina shprehu të shtunën “shqetësim të madh” dhe “kundërshtim kategorik” ndaj një propozimi të fundit të Thesarit amerikan për të zgjeruar dhe intensifikuar kufizimet ndaj investimeve në Kinë, duke e quajtur këtë një veprim diskriminues dhe një praktikë tipike të përdorimit të tepruar konceptit të sigurisë kombëtare.
Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës i tha këto në përgjigje të një pyetjeje të medies mbi përditësimet e propozuara nga Thesari i ShBA-së lidhur me programin e sigurisë së investimeve dalëse, të cilat janë të hapura për komente publike.
Rregullat e propozuara “bien ndesh me konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit, cenojnë bashkëpunimin ekonomik e tregtar normal mes ndërmarrjeve kineze e amerikane dhe minojnë rendin ekonomik e tregtar ndërkombëtar,” u shpreh zëdhënësi.
Kina do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme dhe ruan të drejtën për të marrë masa përkatëse, theksoi ai.
“Kufizimet amerikane mbi investimet në Kinë jo vetëm që do të dëmtonin bashkëpunimin ekonomik e tregtar Kinë-ShBA, por edhe interesat e kompanive amerikane,” tha zëdhënësi, duke theksuar se investimi në Kinë është investim në të ardhmen, pasi Kina ka potencial të madh konsumi e investimesh me tregun e vet super të madh.
Pala kineze i bën thirrje palës amerikane të respektojë parimet e ekonomisë së tregut, të ndalojë teprimin me konceptin e sigurisë kombëtare dhe politizimin e përdorimin e çështjeve ekonomike e tregtare si armë, dhe të krijojë një mjedis të qëndrueshëm për bashkëpunimin ekonomik e tregtar dypalësh, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës.