Sondazh i CGTN | Tranzicioni energjetik global duhet të balancojë objektivat klimatike me nevojat e zhvillimit

Foto/VCG

Konferenca e 31-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31) përfundoi së fundmi, pa arritur konsensus për vendimet kryesore politike. Ky rezultat jo vetëm ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik ndërkombëtar, por ka nxjerrë në pah edhe faktin se qeverisja globale e klimës ka hyrë në një fazë gjithnjë e më të ndërlikuar, ku përplasen interesat dhe përgjegjësitë e vendeve të ndryshme.

Duke gjykuar nga negociatat intensive në bisedime, divergjencat kanë shkuar përtej çështjeve thjesht mjedisore. Bashkimi Evropian ka kërkuar që në rezolutë të përfshihet “eliminimi gradual i lëndëve djegëse fosile”, ndërsa vendet prodhuese të energjisë si Arabia Saudite dhe Rusia i kanë kundërshtuar me vendosmëri. Ndërkohë, një numër i madh vendesh afrikane u kanë bërë thirrje urgjente vendeve të zhvilluara që të respektojnë angazhimet e tyre për financimin e përshtatjes ndaj klimës. Kjo lojë interesash tregon se tranzicioni global i energjisë, nuk është aspak një slogan politik bosh; ai kërkon përballjen me kontradiktat e thella strukturore midis qëllimeve klimatike dhe nevojave të zhvillimit.

Foto/VCG

Një sondazh i zhvilluar nga CGTN me 10.032 të anketuar në 40 vende të botës, pasqyron qëndrimet e publikut ndaj kësaj çështjeje. Sipas rezultateve, 77.3% e të anketuarve mbështesin kalimin drejt një sistemi energjetik më të pastër, më të larmishëm dhe më efikas. Në vendet e Jugut Global, kjo përqindje arrin në 82.1%. Megjithatë, kur bëhet fjalë për problemet kryesore që duhet të zgjidhë tranzicioni energjetik, 42.7% e të anketuarve i japin përparësi kontrollit të çmimeve të energjisë (28.8%) ose garantimit të sigurisë së furnizimit (13.9%). Ndërkohë, 36.2% zgjedhin uljen e ndikimit në mjedis. Këto të dhëna përcjellin një mesazh të qartë: publiku në përgjithësi e mbështet tranzicionin e gjelbër, por nuk është i gatshëm të sakrifikojë për këtë qëllim stabilitetin e çmimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit.

Bllokimi në COP31 paralajmëron botën se një model i njëjtë tranzicioni për të gjitha vendet, pa marrë parasysh kushtet e tyre konkrete, vështirë se mund të ketë sukses. Megjithëse ulja e emetimeve nga lëndët djegëse fosile, është e domosdoshme për përballimin e ndryshimeve klimatike. Vendet ndryshojnë ndjeshëm përsa u përket burimeve energjetike dhe fazave të zhvillimit, duke çuar në boshllëqe të mëdha në kostot e tranzicionit dhe përballueshmërinë. Për vendet në zhvillim që janë ende në fazën e industrializimit, zëvendësimi agresiv i energjisë jo vetëm do të rrisë kostot e prodhimit, por mund të shkaktojë edhe varfëri të rëndë energjetike. Në sondazh, 77.5% e të anketuarve mbështesin zhvillimin gradual dhe të rregullt të energjive të reja, duke garantuar njëkohësisht furnizimin e qëndrueshëm me energji tradicionale. Kjo tregon mbështetjen e gjerë për një qasje pragmatike ndaj tranzicionit energjetik. Përmirësimi i infrastrukturës së energjive të reja dhe rritja e efikasitetit energjetik, janë thelbësore për të arritur një ekuilibër mes sigurisë energjetike dhe objektivave të uljes së emetimeve të karbonit.

Foto/VCG

Për të nxitur tranzicionin energjetik global, është e nevojshme që kërkesat e ligjshme të vendeve në zhvillim të dëgjohen dhe të marrin përgjigje konkrete. Shumë vende të Jugut Global kanë burime të pasura të energjisë së pastër, por prej kohësh përballen me mungesë financimi dhe pengesa teknologjike. Në përputhje me parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të diferencuara, vendet e zhvilluara nuk duhet të kufizohen vetëm në premtime. Ato duhet të përmbushin angazhimet për mbështetje financiare dhe transferim teknologjie. Zgjerimi i ofertës së teknologjive të energjisë së pastër dhe ulja e kostove të përdorimit të tyre, janë mënyra themelore për të krijuar kushte më të favorshme për tranzicionin energjetik të vendeve në zhvillim.

Të dhënat e sondazhit zbulojnë thellësisht një të vërtetë: mbështetja publike për energjinë e pastër dhe theksi në sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë ekonomike, nuk kanë qenë kurrë një lojë ku fituesi i merr të gjitha. Nëse bashkëpunimi ndërkombëtar për klimën mund të dalë nga moçali i “deficitit të zbatimit” në të ardhmen, varet nëse vendet mund ta përkthejnë mbështetjen financiare dhe teknologjike në zgjidhje praktike të tranzicionit. Balancimi i plotë i objektivave klimatike me të drejtën për zhvillim të të gjitha vendeve, si dhe mbështetja e multilateralizmit dhe bashkëpunimit pragmatik, është e vetmja rrugë e drejtë për të siguruar përparimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të tranzicionit global të energjisë.

 

Autorët: Ding Chun, zv/drejtor ekzekutiv i Institutit të Nismës “Një brez, një rrugë” dhe Qeverisjes Globale, drejtor i Qendrës së Studimeve Evropiane dhe profesor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit Fudan; Huang Kaiyue, kandidat për doktoraturë në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Çështjeve Publike të Universitetit Fudan.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us