foto nga VCG
Posta e Kinës nxori të enjten një seri prej gjashtë pullash përkujtimore me rastin e 90-vjetorit të fitores së Marshimit të Madh, një epope në historinë moderne kineze.
Këto gjashtë pulla kanë këto tema: nisja e Ushtrisë së Kuqe, beteja e përgjakshme e lumit Xiangjiang, Konferenca historike e Zunyi-së, beteja në grykën Lazikou, ribashkimi fitimtar i forcave të Ushtrisë së Kuqe dhe përçimi i frymës së Marshimit të Madh.
Në tetor 1934, Partia Komuniste e Kinës (PKK) u detyrua të tërhiqej nga Zona Sovjetike Qendrore në provincën Jiangxi të Kinës Lindore e të lëvizte drejt veriperëndimit, pasi përballoi një sërë fushatash rrethimi nga forcat rivale të partisë Guomindan të Kinës.
Ushtria e Kuqe e udhëhequr nga PKK-ja çau rrethimin e armikut, kaloi terrene të thyera dhe përballoi beteja të ashpra e vështirësi të jashtëzakonshme. Dhjetëra mijë ushtarë humbën jetën gjatë rrugës.
Në dimrin e vitit 1934, gjatë Marshimit të Madh, Ushtria e Kuqe luftoi për të kaluar lumin Xiangjiang në Guangxi dhe çau rrethimin e trupave të Guomindanit, por pësoi dhjetëra mijë viktima në atë betejë.
Konferenca e Zunyi-së u zhvillua në janar 1935. Ajo ishte një ngjarje historike në historinë e PKK-së, që përcaktoi në një masë të madhe fatin e Partisë në një moment kritik për mbijetesën e saj. Në shtator të atij viti, Ushtria e Kuqe zuri grykën Lazikou, një kalim i ngushtë malor i rrethuar nga shkëmbinj të thepisur në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore, duke hapur një rrugë drejt veriut. Në tetor 1936, tre forcat kryesore të Ushtrisë së Kuqe u bashkuan në Kinën Veriperëndimore, duke shënuar përfundimin e Marshimit të Madh.
Marshimi i Madh nuk është një histori që tregohet vetëm brenda Kinës. Në librin e tij “Ylli i Kuq mbi Kinë”, botuar në vitin 1937, gazetari amerikan Edgar Snow u paraqiti lexuesve ndërkombëtarë revolucionin kinez. Dekada më vonë, gazetari amerikan Harrison Salisbury ndoqi të njëjtën rrugë dhe e përshkroi Marshimin e Madh si “një epope e madhe njerëzore”.
Seria e gjashtë pullave ka një vlerë nominale të kombinuar 7.8 juanë (rreth 1.2 dollarë amerikanë), dhe 4.3 milionë seri janë planifikuar të emetohen. Pullat do të shiten për gjashtë muaj në pikat postare të përcaktuara në mbarë Kinën dhe platforma të shitjes në internet.