Çdo sipërmarrje e suksesshme fillon me një plan të mirë dhe me qëllime të qarta të përcaktuara. Në këtë pikë kritike, ku një ristrukturim i thellë i rendit global konvergon me një pikë kthese në revolucionin teknologjik, zhvillimi i pandalshëm i Kinës vjen si një realitet për t’u studiuar me kujdes.
Një pjesë e debatit mbi Kinën lidhet shpesh me mënyrën se si Perëndimi e interpreton zhvillimin e saj, shpesh përmes një këndvështrimi të ngarkuar nga frika ose mungesa e gatishmërisë për të kuptuar modele të ndryshme. Sipas kësaj qasjeje kritike, ekziston një narrativë e konsoliduar që ushqen idenë e një epërsie të sistemit politik perëndimor dhe të mënyrës së tij të organizimit ekonomik e social, duke e paraqitur atë si e vetmja rrugë që mund të prodhojë mirëqenie dhe një shoqëri funksionale. Megjithatë, përvoja e zhvillimit të Kinës ka sfiduar pikërisht këtë supozim. Ajo ka ndjekur një rrugë të sajën, të formësuar nga kushtet historike, sociale dhe institucionale të vendit, duke arritur të ngrejë standardin e jetesës dhe të ofrojë zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët e saj. Në këtë kuptim, modeli kinez nuk është thjesht një alternativë teorike, por një praktikë zhvillimi që, përmes rezultateve të saj, i është “përgjigjur” botës pa pasur nevojë për afirmim të jashtëm.
Në një kontekst global gjithnjë e më të paqëndrueshëm, me tensione gjeopolitike dhe luhatje në zinxhirët e furnizimit, qasja afatgjatë e planifikimit zhvillimor të Kinës paraqitet si një element i rëndësishëm i qëndrueshmërisë së saj. Edhe pse shumë kriza gjeopolitike mund të duken afatshkurtra, pasojat e tyre janë shpesh të thella dhe afatgjata, çka e bën edhe më të rëndësishëm një strategji të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Në këtë kuadër, një nga shtyllat kryesore të kësaj rezilience është fokusi në vetëbesueshmëri strategjike. Kina ka theksuar vazhdimisht zhvillimin e teknologjisë, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe garantimin e sigurisë energjetike dhe ushqimore si elementë kyç për përballimin e pasigurive të jashtme. Kjo qasje reflektohet në planet e saj pesëvjeçare, të cilat synojnë jo vetëm rritje ekonomike, por edhe stabilitet afatgjatë dhe aftësi për t’u përshtatur me goditjet e jashtme.
Në këtë mënyrë, zhvillimi i brendshëm dhe orientimi drejt stabilitetit shihen si faktorë që jo vetëm forcojnë Kinën, por gjithashtu kontribuojnë në një rol më të gjerë stabilizues në sistemin ndërkombëtar.
Prioriteti i jepet mirëqenies sociale dhe zhvillimit rural e rajonal dhe ky orientim përfaqëson një nga ndryshimet më të rëndësishme në mënyrën se si konceptohet zhvillimi në kohët moderne. Zhvillimi rural, nuk shihet më si një sektor dytësor apo si një fazë kalimtare drejt urbanizimit të plotë, por si një shtyllë strategjike e së ardhmes.
Ideja e zhvillimit rural ka një rëndësi që tejkalon kufijtë e Kinës, duke prekur në fakt modelin global të zhvillimit. Bota, sipas tij, nuk mund të mbështetet vetëm te qytetet e mëdha apo te përqendrimi i vazhdueshëm urban. Një shoqëri e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi mbipopullim të qyteteve dhe varësi të plotë nga industrializimi urban. Përkundrazi, e ardhmja kërkon një shpërndarje më të ekuilibruar të popullsisë dhe të aktiviteteve ekonomike, ku zonat rurale dhe periferike marrin një rol më aktiv dhe më të integruar në zhvillim.
Në këtë proces, Kina shihet si një vend që ka bërë hapa të rëndësishëm transformimi në dekadat e fundit. Urbanizimi i shpejtë, ndërtimi i qyteteve moderne, formimi i një baze të gjerë inxhinierësh dhe punëtorësh të kualifikuar, si dhe përmirësimet në infrastrukturë dhe mjedis, kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi të madh. Megjithatë, paralelisht me këtë progres urban, po aq e rëndësishme mbetet edhe ndërgjegjësimi se zonat rurale dhe brendësia e vendit përbëjnë themelin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe shoqërore, pasi aty gjenden burimet natyrore dhe prodhimi ushqimor.
Shumë prej sfidave të sotme globale burojnë nga mungesa e qëndrueshmërisë dhe nga mendimi afatshkurtër në zhvillim ekonomik. Modeli aktual i rritjes, sipas tij, shpesh e trajton burimet natyrore sikur të ishin të pakufizuara, duke rrezikuar shterimin e tyre dhe duke cenuar mundësitë e brezave të ardhshëm. Kjo situatë krijon një padrejtësi ndërbreznore që nuk mund të injorohet.
Në nivel global, pasojat e këtij modeli tashmë janë të dukshme, përmes ndotjes, shfrytëzimit të tepruar të burimeve dhe dëmtimit të ekosistemeve. Nëse politika ekonomike fokusohet vetëm te rritja e konsumit pa mekanizma kontrolli dhe balancimi, atëherë ajo rrezikon të forcojë një sistem të paqëndrueshëm dhe shterues. Për këtë arsye, zhvillimi i qëndrueshëm kërkon një qasje shumë më të sofistikuar në qeverisje, planifikim dhe menaxhim të burimeve, veçanërisht në një vend me përmasa të mëdha dhe me popullsi të konsiderueshme.
Në këtë kontekst, Kina ka filluar të promovojë konceptin e zhvillimit cilësor, i cili synon që zhvillimi ekonomik të mos bëhet në kurriz të mjedisit dhe të së ardhmes, por të mbështetet në politika që ruajnë burimet, garantojnë ekuilibër dhe krijojnë kushte për një rritje afatgjatë. Kjo qasje synon të ndërtojë një bazë institucionale dhe politike që i lejon vendit të zhvillohet pa rrezikuar të drejtat dhe mundësitë e brezave të ardhshëm.
Duke reflektuar mbi konceptin e një “të ardhmeje globale”, qëllimi përfundimtar është një botë ku shumica e vendeve arrijnë një nivel të arsyeshëm vetë-mjaftueshmërie, duke bashkëpunuar ngushtë me fqinjët dhe partnerët e tyre. Në këtë vizion, paqja dhe zhvillimi cilësor janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohet rendi i ri global.
Në këtë panoramë globale, Kina shihet gjithnjë e më shumë si një aktor që ofron një model të veçantë. Aftësia e saj për të ndërtuar vizione afatgjata dhe për t’i zbatuar ato në mënyrë sistematike e dallon nga shumë vende të tjera. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhjet që Kina po bën sot do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në formësimin e “të ardhmes globale”, duke ndikuar jo vetëm në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në drejtimin që do të marrë bota në dekadat që vijnë.
Në thelb, në çdo planifikim Kina nuk përcakton vetëm objektiva ekonomikë, por ndërton një arkitekturë të tërë politike, industriale dhe shoqërore që lidh prioritetet shtetërore me zbatimin praktik në nivel lokal dhe sektorial.
Në këtë mënyrë, roli i lidershipit nuk kufizohet në parashikime makroekonomike apo deklarata strategjike por me një sistem të mirëfilltë sinkronizimi midis politikave publike, investimeve, inovacionit, infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal. Ky koordinim krijon një vazhdimësi të rrallë në politikëbërje, ku objektivat afatgjata mbeten të qëndrueshme, ndërsa instrumentet e zbatimit përshtaten sipas kushteve të ndryshueshme. Pikërisht kjo ndërthurje midis stabilitetit strategjik dhe fleksibilitetit operacional përbën një nga tiparet më dalluese të modelit kinez të zhvillimit.
Në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga paqëndrueshmëri, cikle të shkurtra politike dhe mungesë parashikueshmërie, fakti që Kina ndjek një vijë të qartë zhvillimi afatmesëm dhe afatgjatë, krijon një nivel të caktuar parashikueshmërie që mungon në shumë ekonomi të tjera. Kjo sidomos për investitorët, partnerët ekonomikë por madje edhe për konkurrentët. Në këtë mënyrë, planifikimi shndërrohet në një instrument që prodhon besim ekonomik në një botë të pasigurt.
Ky efekt shtrihet përtej kufijve të Kinës. Duke qenë një aktor qendror në zinxhirët globalë të furnizimit, në industrinë prodhuese, në energjinë e gjelbër dhe në teknologji, prioritetet e përcaktuara nga Pekini ndikojnë drejtpërdrejt në orientimin e investimeve globale, në standardet teknologjike dhe në drejtimin e zhvillimit industrial ndërkombëtar. Kështu, planifikimi i brendshëm kinez merr gjithnjë e më shumë karakter global.
Kina përballet me presione reale, si ngadalësimi i kërkesës globale, sfidat demografike, ristrukturimi i sektorit të pasurive të paluajtshme dhe nevoja për një model më të balancuar rritjeje. Megjithatë, këto sfida përballen me një bazë të fortë strukturore: kapacitet industrial në shkallë të gjerë, infrastrukturë të zhvilluar, fuqi punëtore të kualifikuar, stabilitet politik dhe një treg të brendshëm shumë të madh.
Ajo që e dallon fazën aktuale të zhvillimit të Kinës është ndryshimi i modelit ekonomik. Vëmendja nuk është më vetëm te rritja e shpejtë, por te qëndrueshmëria dhe cilësia e zhvillimit. Politikat aktuale fokusohen në modernizimin e industrisë, teknologjinë e avancuar, rritjen e kërkesës së brendshme dhe tranzicionin e gjelbër. Kjo tregon një përpjekje të qartë për të kaluar nga një model sasior rritjeje në një model më kompleks dhe më të qëndrueshëm zhvillimi.
Njëkohësisht, Kina mund të ofrojë mësime të rëndësishme edhe për vendet e tjera, pavarësisht dallimeve sistemike dhe politike. Një prej tyre është vlera e konsistencës strategjike. Një tjetër mësim lidhet me natyrën e modernizimit. Sipas interpretimit të Pekinit, modernizimi nuk është vetëm dixhital apo financiar, por mbetet thellësisht industrial. Roli i prodhimit, infrastrukturës, energjisë dhe logjistikës vazhdon të jetë thelbësor për çdo ekonomi që synon stabilitet dhe konkurrueshmëri afatgjatë. Kjo sfidon tendencat e disa ekonomive që kanë nënvlerësuar sektorin industrial në favor të shërbimeve.
Në aspektin e hapjes ndërkombëtare, pritshmëritë janë që Kina të vazhdojë procesin e hapjes, por në një formë më të strukturuar dhe selektive. Kjo nënkupton zgjerim të aksesit në tregje, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, teknologjisë digjitale, bioteknologjisë dhe shëndetësisë, së bashku me përmirësime në mjedisin e biznesit dhe trajtimin e barabartë të investitorëve të huaj. Në këtë mënyrë, hapja ekonomike nuk shihet si një akt simbolik, por si pjesë e strategjisë së konkurrueshmërisë së Kinës në nivel global.
Megjithatë, faktori vendimtar mbetet zbatimi praktik. Sa më e matshme dhe e prekshme të jetë hapja, aq më shumë besim krijon ajo në tregjet ndërkombëtare. Kombinimi i hapjes së tregut me stabilitetin e rritjes dhe modernizimin industrial përbën një nga elementët kyç të ndikimit të ardhshëm të Kinës në ekonominë globale.
Së fundmi, modeli zhvillimor i Kinës nuk përfaqëson vetëm një strategji të brendshme zhvillimi, por edhe një model të ri ndërveprimi me botën. Ai krijon një “çengel sigurie” në një sistem global të paqëndrueshëm dhe njëkohësisht propozon një paradigmë të re zhvillimi, ku qëndrueshmëria, industrializimi cilësor, inovacioni i integruar dhe hapja e strukturuar ekonomike formojnë bazën e një modeli më të balancuar dhe afatgjatë të zhvillimit global.
AIGS