Foto nga MPJ-ja
Kina shpreson që Belgjika do të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv brenda Bashkimit Evropian (BE) për të lehtësuar trajtimin e duhur të mosmarrëveshjeve ekonomike e tregtare mes BE-së dhe Kinës nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve, u shpreh të enjten në Pekin ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot.
Pala kineze është e gatshme që të ruajë respektin e ndërsjellë me palën belge, të kërkojë pikat e përbashkëta duke menaxhuar dallimet, të mbajë dialogun dhe komunikimin e ngushtë, të shtojë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, të forcojë shkëmbimet kulturore e njerëzore, të thellojë bashkëpunimin praktik dhe t’i ngrejë marrëdhëniet Kinë-Belgjikë në një nivel të ri, shtoi Wang.
Të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. Wang parashtroi qëndrimin parimor të Kinës, ndërsa Prevot vlerësoi përpjekjet e Kinës për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve rajonale dhe angazhimin e saj për t’i zgjidhur çështjet nëpërmjet dialogut, duke shprehur gatishmërinë e palës belge për të mbajtur komunikimin e ngushtë me palën kineze.
Duke theksuar se lidhjet belgo-kineze janë më të rëndësishme se kurrë më parë, Prevot tha se Belgjika i përmbahet fort politikës së “një Kine” dhe respekton rezolutat përkatëse të OKB-së.
Për çështjet ekonomike dhe tregtare, kreu i diplomacisë belge tha se vendi i tij nuk pajtohet me proteksionizmin dhe është i gatshëm të forcojë komunikimin e dialogun me Kinën në mënyrë pozitive, të hapur e konstruktive, për të thelluar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.
Prevot tha se Belgjika është e gatshme të mbështesë multilateralizmin, të mbrojë ligjin ndërkombëtar dhe të luajë një rol pozitiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve BE-Kinë.