Mostrat hënore në ekspozitë, prill 2026, Chengdu, provincë Sichuan, Kinë Jugperëndimore/Foto nga VCG
Mostrat hënore nga ana e dukshme dhe ajo e errët e Hënës do të ekspozohen në Ekspozitën e 16-të Ndërkombëtare të Aviacionit dhe Hapësirës së Kinës, e njohur ndryshe si “Airshow China”, njoftoi të martën Administrata Shtetërore e Shkencës, Teknologjisë dhe Industrisë për Mbrojtjen Kombëtare (SASTIND).
Vizitorët do të mund të vëzhgojnë nga afër dallimet midis mostrave hënore të sjella nga misioni “Chang’e-5” (nga ana e dukshme e Hënës) dhe atyre nga misioni “Chang’e-6” (nga ana e errët e Hënës), tha Yi Lin, një zyrtar i industrisë kineze të mbrojtjes, gjatë një konference për shtyp në Pekin, të organizuar për të prezantuar detajet e ekspozitës.
Panairi i aviacionit është planifikuar të mbahet nga data 7 deri më 13 dhjetor në Zhuhai, një qytet bregdetar në provincën Guangdong të Kinës Jugore.

AirShow China, viti 2024, Zhuhai,provincë Guangdong, Kinë Jugore/Foto nga VCG

AirShow China, viti 2024, Zhuhai,provincë Guangdong, Kinë Jugore/Foto nga VCG

AirShow China, viti 2024, Zhuhai,provincë Guangdong, Kinë Jugore/Foto nga VCG
Sipas Zhang Hu, nënkryetar ekzekutiv të provincës Guangdong, përmasat e panairit të këtij viti janë zgjeruar, duke përfshirë një sipërfaqe ekspozimi të brendshme prej 135 mijë metrash katrorë. Pritet të ekspozohen më shumë se 3000 pajisje, rreth 10% e të cilave do të shfaqen për herë të parë.
Më shumë se 170 mjete fluturuese do të prezantohen në zonën kryesore të ekspozitës. Mbi 1100 ndërmarrje nga pothuajse 50 vende dhe rajone, janë regjistruar për të marrë pjesë në panair, shtoi ai.
Panairi i këtij viti do të përdorë për herë të parë tri zona ekspozimi: zonën kryesore qendrore, zonën e ekspozimit të pajisjeve pa pilot dhe zonën e ekspozimit të pajisjeve detare.
Do të prezantohen disa nga arritjet më të fundit të Kinës në fushën e hapësirës ajrore. Korporata e Shkencës dhe Teknologjisë së Hapësirës Ajrore të Kinës, do të sjellë modele që përfshijnë motorin e fazës së parë të një rakete mbartëse të rëndë dhe sondën kryesore të misionit “Tianwen-2”. Korporata e Motorëve të Aviacionit të Kinës, do të ekspozojë rreth 90 lloje motorësh avionësh, materiale të avancuara dhe artikuj të tjerë.
Krahas panairit, është planifikuar të mbahet edhe një forum për shkëmbimin e përvojave në industri, duke trajtuar tema të tilla si hapësira komerciale, mjekësia hapësinore dhe shëndeti i njeriut.
Ky vit shënon 30-vjetorin e themelimit të Airshow China. Që nga fillimi i tij në vitin 1996, ai është shndërruar në një dritare të rëndësishme për ekspozimin e teknologjive dhe pajisjeve të avancuara të aviacionit dhe hapësirës ajrore, si vendase ashtu edhe të huaja. Gjithashtu, ai është bërë një platformë ndërkombëtare për nxitjen e bashkëpunimit të biznesit në fushën e teknologjive dhe pajisjeve të aviacionit dhe hapësirës ajrore.