Shkrimtari gjerman: Shkoni në Kinë për të parë Kinën e vërtetë

Foto nga VCG

Shkrimtari gjerman Volker Häring është i dhënë pas çiklizmit. Për mbi 30 vjet ai ka udhëtuar rreth 60 mijë kilometra me biçikletë. Përgjatë periudhës 2023-2024 ai dhe shoku i tij Christian Y. Schmidt kanë udhëtuar në itinerarin e Marshimit të Madh të Ushtrisë së Kuqe të asaj kohe.

Gjatë rrugës, Volker Häring ka takuar shumë njerëz të ngrohtë e të sinqertë dhe ka dëshmuar zhvillimin e shpejtë të Kinës. Infrastruktura e zhvilluar dhe mjedisi i qëndrueshëm i kanë lënë atij përshtypje të thellë.

Duke folur për stereotipet e mediave europiane ndaj Kinës, Häring sugjeron që europianët të mbajnë një qëndrim të hapur e të vijnë vetë në Kinë, për të njohur Kinën e vërtetë.

Ai mendon që Kina është shndërruar nga një vend në zhvillim në një fuqi botërore, por ende ka një rrugë të gjatë përpara, çka pasqyron edhe frymën e Marshimit të Madh.

Sipas tij, Europa dhe Kina duhet të bashkëpunojnë ngushtë, me përfitime për të dy palët.

Në vijim është ajo çfarë ka thënë Volker Häring-u:

Në vitin 1990 ishte shumë e vështirë të komunikoje me kinezët, sepse ata ishin shumë të rezervuar. Por tani ata janë shumë të hapur. Ne kemi biseduar, besoj, me mijëra njerëz. Bëmë rreth 500 foto së bashku me grupe kineze. Dhe reagimi i përgjithshëm ishte absolutisht entuziast. Ata ishin vërtet entuziastë për të takuar të huaj. Dhe ne të huajt ishim duke bërë çiklizëm. Ne ishim nga Gjermania, e cila normalisht ka një reputacion shumë pozitiv mes kinezëve. Dhe ne po ndiqnim rrugën e Marshimit të Madh. Pra, ne vërtet fituam shumë respekt dhe zumë shumë miq të rinj. Edhe tani jam në kontakt me shumë prej tyre. Një mbrëmje dolëm për darkë dhe kishte një grup vajzash të reja, ndoshta 12-13 vjeçe. Ato hynë dhe e kuptuan që Christian-i, me të cilin po udhëtoja, nuk fliste shumë mirë kinezisht. Kështu që ato filluan t’i mësonin kinezisht. Ishte një skenë shumë e këndshme dhe mjaft e vërtetë.

Nëse bëni çiklizëm ose udhëtoni nëpër Kinë, së pari, shihni zhvillimin. Kanë kaluar gati 40 vjet që kur e vizitova Kinën për herë të parë. Tani është një vend krejt tjetër, dhe ta arrish këtë në 40 vjet është diçka e madhe. Infrastrukturën e konsideroj absolutisht perfekte. Madje tepër perfekte. Për shembull në Guizhou, ka një autostradë gjigande, një kalim mbi malet me lartësi 800 metra. Rrugët ku po udhëtonim ne me biçikletë, ishin të vogla, por pothuajse të gjitha ishin në gjendje të mirë. Dhe përveç kësaj, është fakti që kinezët janë njerëz të hapur. Qëndrueshmëria e gjërave është ajo që e adhuroj më shumë. Ka ujë mjaft të pastër, energji diellore, energji ere kudo. Kjo është mjaft e mahnitshme. Dhe të kesh parasysh që në Perëndim tani të gjitha përpjekjet për të parandaluar ndryshimet klimatike janë dobësuar dhe madje edhe shkatërruar. Dhe të shohësh që Kina po ndjek një drejtim tjetër dhe ka sukses është mjaft mahnitëse. Provinca ime e preferuar është Yunnan. Është një provincë e bukur, e larmishme, me peizazh të mrekullueshëm. Ka gjithçka, nga kopshtet tropikale te malet e larta me borë, kështu që është e mahnitshme.

Kur imazhi yt për Kinën vjen vetëm nga media perëndimore, ke një opinion të caktuar, sepse vazhdon të dëgjosh të njëjtën gjë. Nuk mund t’i fajësosh njerëzit që nuk kanë qenë kurrë në Kinë përse kanë paragjykime ndaj saj. Mendoj se kjo nuk është unike për Kinën, ndodh me çdo rajon dhe vend. Dhe sigurisht, shkon në Kinë dhe sheh që është ndryshe nga çfarë të kanë thënë. Thjesht shko në Kinë, merr sa më shumë kohë të mundesh dhe vizito krahina të ndryshme. Shko në qytetet e mëdha si Pekini, Shangai, Xian, Chengdu, Chongqing e Kunming – këto do të zgjidhja së pari. Dhe pastaj shko në zonat rurale, jo vetëm në Zhangjiajie, por edhe në peizazhet e tjera të bukura. Dhe mbaji sytë e mendjen të hapur. Mos fol për të, thjesht shko.

Mendoj se Kina është në një pikë të vështirë tani, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare janë mjaft të tensionuara. Ka shumë çështje që janë kontradiktore. Prandaj shpresoj që paqja të ruhet. Kina mund të jetë vendi i parë në zhvillim që arrin vërtet në majë, pa trazira të mëdha shoqërore dhe pasoja shoqërore. Por do të jetë një rrugë e gjatë. Pra ndoshta është vërtet siç thuhet për frymën dhe thelbin e Marshimit të Madh.

Mendoj që Europa duhet të jetë më afër Kinës pa dyshim. Dua të them që, në situatën ku gjendet ShBA-ja në thelb, nuk mund të punosh vërtet me amerikanët tani, sepse ata janë të paqëndrueshëm. Ata shkelin të gjitha kontratat, ndryshojnë mendim brenda një minute, dhe nuk punojnë për të mirën e europianëve. Ata i shërbejnë thjesht interesit, thjesht interesit amerikan. Prandaj sigurisht që duhet të kërkojmë bashkëpunim me Kinën dhe ta thellojmë atë, sepse kemi shumë për t’i ofruar njëri-tjetrit. Kjo duhet të jetë politika. Dhe Europa vërtet mund të përfitojë shumë prej kësaj, dhe Kina gjithashtu do të përfitonte. Kjo është vërtet një situatë ku fitojnë të dyja palët.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni