Presidenti kinez Xi Jinping takon presidentin uzbekistanas në Bishkek

Presidenti kinez Xi Jinping u takua më 31 gusht me homologun e vet uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev në kryeqytetin e Kirgizistanit Bishkek,/Foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të hënën me homologun e vet uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev në kryeqytetin e Kirgizistanit Bishkek, gjatë Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait 2026.

Xi Jinping vuri në dukje se ky vit shënon 10-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Uzbekistanit. “Nën udhëheqjen tonë të përbashkët, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë vazhduar të përmirësohen, bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka qenë i frytshëm dhe ndërtimi i një komuniteti me të ardhme të përbashkët Kinë-Uzbekistan ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, u shpreh Xi. Ai shtoi që Kina është e gatshme të punojë me Uzbekistanin për të konsoliduar besimin e ndërsjellë strategjik, për të thelluar bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm dhe për të krijuar së bashku një “dekadë të artë” të re për marrëdhëniet dypalëshe.

Presidenti kinez Xi Jinping u takua më 31 gusht me homologun e vet uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev në kryeqytetin e Kirgizistanit Bishkek,/Foto nga Xinhua

Xi Jinping theksoi në vijim që, pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, qëndrimi i Kinës për thellimin e miqësisë me Uzbekistanin nuk do të lëkundet dhe pala kineze, si gjithmonë, do ta mbështesë palën uzbekistanase në ndjekjen e një rruge zhvillimi të përshtatshme për kushtet e veta kombëtare. Të dyja vendet duhet të punojnë së bashku për të bërë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh. Ato duhet të përparojnë ndërtimin me cilësi të lartë të hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si inteligjenca artificiale e kontrolli i shkretëtirëzimit dhe t’i përmbahen parimit të përfitimit të ndërsjellë. Kina dhe Uzbekistani duhet të ruajnë vrullin e shkëmbimeve aktive në nivel pushteti vendor, të përshpejtojnë krijimin e ndërsjellë të qendrave kulturore, të zgjerojnë bashkëpunimin në arsim, uljen e varfërisë e fusha të tjera dhe të promovojnë lidhjet njerëzore. Të dy vendet duhet të shfrytëzojnë mirë mekanizmat dypalësh të zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, të luftojnë së bashku “tre forcat e së keqes” dhe të ndërtojnë një mbrojtje të fortë sigurie. Si anëtarë themelues të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), Kina e Uzbekistani duhet të promovojnë së bashku zbatimin e rezultateve të Samitit të OBSh-së në Tianjin dhe të kontribuojnë në zhvillimin e prosperitetin rajonal.

Nga ana e tij, Shavkat Mirziyoyev e përgëzoi ngrohtësisht Kinën për arritjet e rëndësishme në zhvillim nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping dhe përgjigjen e saj të vendosur e të sigurt ndaj sfidave globale. Pala uzbekistanase shpreh besim të plotë në perspektivat e ndritshme të modernizimit të stilit kinez. Uzbekistani e Kina kanë një miqësi të thellë dhe gjithmonë e kanë kuptuar dhe mbështetur njëri-tjetrin. Vizioni dhe mençuria e presidentit Xi Jinping kanë hapur perspektiva të gjera për marrëdhëniet Uzbekistan-Kinë, duke udhëhequr zhvillimin gjithëpërfshirës të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, u shpreh Mirziyoyev. Sipas tij, Uzbekistani është i përkushtuar për të zhvilluar marrëdhënie me Kinën dhe ky angazhim nuk do të ndryshojë për shkak të ndryshimeve në situatën ndërkombëtare. Pala uzbekistanase është e gatshme të punojë me palën kineze për të forcuar besimin e ndërsjellë politik, për të zgjeruar tregtinë e investimet, për të thelluar bashkëpunimin në bujqësi, transport, energjetikë, miniera, shkencë e teknologji, për të promovuar shkëmbimet kulturore, për të luftuar së bashku “tre forcat e së keqes” dhe për të nxitur një zhvillim më të madh të marrëdhënieve dypalëshe. Uzbekistani i përmbahet fuqimisht parimit të një Kine, i vlerëson lart katër nismat globale të propozuara nga presidenti Xi Jinping dhe është i gatshëm të punojë me Kinën për të nxitur zhvillimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe për të mbrojtur së bashku drejtësinë e barazinë ndërkombëtare, tha Mirziyoyev.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni