ShBA ka nevojë për më shumë “përqafues pandash”

Foto nga VCG

Dy banorë të rinj në Atlanta u ofrojnë amerikanëve diçka të thjeshtë e freskuese: një arsye për të qenë kuriozë rreth Kinës. Pandat gjigante Ping Ping dhe Fu Shuang mbërritën më 27 shtator dhe u vendosën në Kopshtin Zoologjik të Atlantës, ku do t’u nënshtrohen karantinës para se të dalin para publikut. Për familjet që presin t’i shohin, tërheqja është e menjëhershme. Por për marrëdhëniet më të gjera mes dy vendeve, mbërritja e tyre ngre një pyetje: Pse interesi për Kinën dhe gatishmëria për të bashkëpunuar me të, janë bërë qëndrime që amerikanët ndonjëherë ndihen të detyruar t’i mbrojnë?

Termi “përqafues pandash” është përdorur prej kohësh në debatet e politikës së jashtme amerikane, për t’iu referuar njerëzve që favorizojnë angazhimin me Kinën. Nënkuptimi është se këta njerëz janë tepër besues ose jo mjaftueshëm të ashpër ndaj Pekinit. Megjithatë, njerëzit që arrijnë të kuptojnë një vend tjetër, të flasin gjuhën e tij dhe të ruajnë marrëdhënie atje, ofrojnë diçka të vlefshme. Amerikës i duhen më shumë njohuri të tilla dhe më shumë hapësirë, që ato të bëhen pjesë e debatit publik.

Për amerikanët e zakonshëm, pasojat e një njohjeje të pamjaftueshme mund të jenë shumë konkrete. Një kompani që nuk e kupton mirë një treg mund të humbasë mundësi. Një universitet që humbet lidhjet ndërkombëtare, mund t’u ofrojë studentëve më pak mundësi për të mësuar. Një qeveri që keqinterpreton synimet e një vendi tjetër, mund të humbasë mundësi reale bashkëpunimi. Angazhimi nuk garanton sukses, por krijon informacion dhe marrëdhënie që përndryshe do të mungonin. Dhe këto janë burime që amerikanët kanë arsye t’i ruajnë.

Ndonjëherë, vlera e angazhimit shfaqet më qartë përmes një historie që nuk ka lidhje me negociatat diplomatike. NBC raportoi së fundmi për Ronald Sakolsky-n, një mësues amerikan në pension, i cili më shumë se dy dekada më parë ndihmoi në mbledhjen e 5000 dollarëve për të mbështetur fermeren kineze Yin Yuzhen në përpjekjet e saj për të mbjellë pemë në shkretëtirë. Kur u kthye në Kinë, ai pa se si vite të tëra pune kishin ndihmuar në transformimin e peizazhit. Presidenti kinez Xi Jinping e përmendi këtë miqësi ndërkufitare në një fjalim gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Foto nga VCG

Kjo histori prek njerëzit, sepse kuptimi i saj njerëzor është i thjeshtë. Dikush pa një person tjetër që përpiqej të përmirësonte komunitetin e vet dhe vendosi ta ndihmonte. Ajo e shpërbleu këtë besim me vite të tëra pune. Ata vinin nga vende dhe kultura të ndryshme, por ndanin një dëshirë të kuptueshme: të linin diçka më të mirë për brezin e ardhshëm. Pemët u rritën, sepse kontributi fillestar u pasua nga vite kujdesi. Bashkëpunimi, gjithashtu, varet nga njerëzit që vazhdojnë të bëjnë punën pas gjestit të parë.

Pandat në Atlanta nuk do të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare apo çështjet e sigurisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Por ato mund të hapin një hapësirë për interes, kureshtje dhe bisedë. ShBA ka arsye ta mirëpresë këtë hapësirë dhe njerëzit që janë të gatshëm ta zgjerojnë atë. Më shumë raportim i informuar, më shumë kontakte të drejtpërdrejta dhe më shumë hapësirë për zëra konstruktivë, do t’u jepnin amerikanëve një pamje më të qartë për Kinën dhe një gamë më të gjerë zgjedhjesh.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni