Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung/Foto nga VCG
Televizioni Ekonomik i Seulit (Seoul Economic TV) kërkoi falje publike të enjten në emër të të gjithë punonjësve të tij, për një program që pretendonte se kohët e fundit kinezët kishin blerë masivisht apartamente në lagjen Gangnam të Seulit, kryeqyteti i Koresë së Jugut, ku çmimet e banesave u rritën vrullshëm vitet e fundit.
Më herët gjatë ditës, Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung kritikoi raportimin, duke e quajtur atë “lajm të rremë të fabrikuar qëllimisht” që “nxiste ndjenja kundër Kinës”.
Televizioni kishte transmetuar më parë një raportim që pretendonte se kinezët kishin blerë 944 apartamente në lagjen Gangnam të Seulit, sipas inventarit të tregut.
Në një postim në mediat sociale, Lee tha se verifikimi zyrtar tregoi se vetëm pesë shtetas kinezë kishin blerë apartamente në Gangnam në katër muajt e parë të vitit, duke shtuar se raporti ishte “qartësisht i rremë”.
Lee bëri kritika edhe gjatë një takimi të kabinetit të mërkurën, duke e quajtur raportimin një përpjekje për të nxitur ndjenja kundër Kinës dhe duke thënë se fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi, sipas Agjencisë së Lajmeve Yonhap.
Në deklaratën e kërkimit të faljes, Televizioni Ekonomik i Seulit tha se ekipi i prodhimit i kishte kushtuar rëndësi të tepruar rritjes së shikueshmërisë dhe vëmendjes së publikut, ndërsa mangësitë në mekanizmin e tij të brendshëm të shqyrtimit nuk filtruan përmbajtjen e rreme në mënyrë efektive.
Televizioni deklaroi se “kërkon ndjesë sinqerisht për shqetësimin dhe konfuzionin e shkaktuar shumë njerëzve”. Ai e ka hequr raportimin e rremë nga platformat e tij.