Foto nga VCG
Organi kryesor i planifikimit ekonomik i Kinës publikoi të hënën një rregullore provë që synon përmirësimin e vlerësimit dhe menaxhimit të ndarjes së fondeve të investimeve qeveritare.
Ky veprim synon shfrytëzimin më të mirë të këtyre fondeve për t’u shërbyer strategjive kombëtare, për të promovuar ngritjen e nivelit industrial dhe për të nxitur inovacionin e sipërmarrjen.
Rregullorja, e hartuar nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës, thekson rolin e vlerësimit të ndarjes së fondeve të investimeve qeveritare në orientimin e këtyre fondeve për t’u përafruar me politikat kombëtare industriale dhe për të mbështetur zhvillimin e një sistemi industrial modern.
Ajo gjithashtu bën thirrje për një koordinim më të fortë midis fondeve në nivel kombëtar dhe fondeve të qeverisjes vendore për të mbështetur strategjitë kryesore kombëtare, sektorët kyç e fushat e dobëta ku forcat e tregut dështojnë.
Rregullorja përcakton kriteret e vlerësimit që përqendrohen në performancën e fondeve në mbështetjen e strategjive kombëtare, të tilla si nxitja e forcave të reja prodhuese me cilësi të lartë, promovimi i inovacionit teknologjik dhe komercializimi i rezultateve të kërkimit, sigurimi i kapitalit afatgjatë dhe rritja e mirëqenies publike.
Treguesit shtesë vlerësojnë përputhshmërinë me strategjitë rajonale të vendit, fushat me përparësi të investimeve dhe shfrytëzimin efikas të kapaciteteve, si edhe zbatimin e politikave.
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës vuri në dukje që rezultatet përfundimtare të vlerësimit do t’u komunikohen qeverive në nivel provincial, departamenteve përkatëse, subjekteve të vlerësuara, si edhe institucioneve financiare përkatëse. Këto rezultate do të publikohen nëpërmjet një sistemi regjistrimi.