foto nga VCG
Sulfuri i hidrogjenit është një përbërës shumë helmues që del gjatë nxjerrjes së gazit natyror ose rafinimit të naftës. Kohët e fundit, një grup kërkimor kinez ka arritur përparim në teknologjinë e pastrimit të kësaj lënde, duke gjetur një rrugë të re për zhdukjen e helmësisë së tij dhe shfrytëzimin e tij si burim.
Li Can, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kinës:
Shumë puse të gazit natyror në Kinë nuk mund të shfrytëzohen për shkak të përmbajtjes së lartë të sulfurit të hidrogjenit. Me këtë teknologji, ne mund të zgjidhim çështjet mjedisore dhe ekologjike, duke prodhuar gjithashtu hidrogjen dhe sulfur. Në veçanti, hidrogjeni mund të prodhohet në mënyrë të sigurt, me kosto të ulët dhe në një shkallë të gjerë. Ai mund të përdoret drejtpërdrejt për automjetet me energji hidrogjeni, e madje edhe në industri të tilla si hapësira ajrore.
Viti 2026 është pikënisja e Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës. Në pesë vjetët e ardhshëm, Kina do të vijojë të zbatojë konceptin e ri të zhvillimit dhe të ngulë këmbë në zhvillimin me cilësi të lartë e të drejtuar nga novacioni, duke nxitur zhvillimin ekonomik në cilësi dhe sasi, si edhe përparimin e gjithanshëm të shoqërisë.
Vicentiu Gheorghe, president nderi i Shoqatës “ChinaRo”:
Kina po përpiqet të shkëputet nga modeli tradicional i zgjerimit të shpejtë, përdorimit të madh të burimeve e investimeve masive dhe po ecën drejt një rruge zhvillimi më të ekuilibruar, të fokusuar në cilësi, të orientuar drejt novacionit dhe efikasitetit. Ky transformim mishërohet në modernizimin e vazhdueshëm të strukturës industriale, integrimin e teknologjisë digjitale në ekonomi, promovimin e zhvillimit të gjelbër dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit vendas dhe rajonalë.
Milan Krajča, nënkryetar i Partisë Komuniste të Republikës Çeke:
Kjo nënkupton se Kina do ta ngrejë në një nivel krejt të ri cilësinë e zhvillimit, qoftë në teknologjitë e reja, kërkimet shkencore bazë, apo në ekonominë e gjelbër ekologjike e fusha të tjera, të cilat e pasqyrojnë të gjitha këtë orientim.

foto nga VCG
Zhvilimi i Kinës ka favorizuar botën. Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar, Kina ka dhënë një kontribut mesatar vjetor prej 30 për qind në rritjen ekonomike globale dhe është bërë motori më i qëndrueshëm e më i besueshëm i ekonomisë botërore. Në gjendjen e tanishme me pasiguri të shumta dhe acarim të konkurrencës gjeopolitike, Kina me zhvillimin e vet cilësor do të vazhdojë t’i japë botës siguri dhe të ndajë zhvillimin e lulëzimin e vet me vende të ndryshme.
Juha Tuominen, kryetari Dhomës Finlandeze të Tregtisë në Kinë:
Mendoj se objektivi i Kinës për asnjanësimin e karbonit dhe për zhvillimin e vazhdueshëm e ka zgjeruar shumë potencialin e bashkëpunimit midis ndërmarrjeve të të dy vendeve.
Lee Jae Myung, presidenti i Koresë së Jugut:
Kina zotëron aftësi vërtet të jashtëzakonshme për të gjetur mundësitë mes krizave dhe për t’i përqendruar kapacitetet kombëtare në to, për të zhvilluar teknologjitë e reja e për të nxitur rritjen industriale. Kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë për një periudhë mjaft të gjatë kohe dhe unë parashikoj që marrëdhëniet e bashkëpunimit midis Koresë së Jugut dhe Kinës do të krijojnë mundësi të shumta për Korenë e Jugut në këtë drejtim.

foto nga VCG
Kohët e fundit, një numër institucionesh financiare evropiane, si banka britanike “Standard Chartered”, banka franceze “Société Générale” dhe grupi holandez ING publikuan raporte kërkimore, duke thënë se ekonomia kineze pritet të ruajë rritjen e qëndrueshme në vitin 2026 dhe të tregojë elasticitet të fortë në mes të ekonomive kryesore globale, me mbështetje nga novacioni shkencor e teknologjik dhe transformimi i gjelbër.
Vojtěch Filip, kryetar i Federatës Industriale e Tregtare Çeki-Kinë dhe ish-nënkryetari i parë i Dhomës së Deputetëve të parlamentit çek:
Rritja e ekonomisë kineze favorizon jo vetëm Kinën, por edhe i jep impuls tregtisë ndërkombëtare dhe ekonomisë së vendeve të ndryshme. Kjo nuk është thjesht një rritje sasiore, por një model zhvillimin me integrimin e thellë të zhvillimit cilësor dhe teknologjive moderne.
Dr. Enriko Ceko, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm:
Vendosmëria politike dhe planifikimi strategjik janë elemente kryesore për të shmangur luhatjet e forta dhe për të garantuar vazhdimësinë. Pikërisht ky shembull i politikave afatgjata dhe të qëndrueshme, është ai që ofron mësime të vlefshme për komunitetin ndërkombëtar.
Vicentiu Gheorghe, president nderi i Shoqatës “ChinaRo”:
Në bashkësinë ndërkombëtare, strategjia kineze e zhvillimit me cilësi të lartë konsiderohet si faktor i rëndësishëm për ruajtjen e qëndrueshmësisë në rrethanat e tensioneve gjeopolitike dhe të fragmentarizimit ekonomik. Bota pret që Kina të japë kontribut të madh për nxitjen e besimit në ekonominë botërore dhe rritjen afatgjatë.