Wang Yi: Kina dhe Franca duhet t’i sjellin botës qëndrueshmërinë e çmuar

Foto nga VCG

Kina dhe Franca, si dy vende të mëdha që veprojnë në mënyrë të pavarur, duhet të forcojnë komunikimin e bashkërendimin, t’i sjellin së bashku botës qëndrueshmërinë e çmuar dhe të shfrytëzojnë më mirë vlerën strategjike të marrëdhënieve kino-franceze, tha të mërkurën Wang Yi, drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme të Kinës.

Gjatë një telefonate me Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit francez, Wang u shpreh që, në fillim të vitit të ri, peizazhi ndërkombëtar ka pësuar ndryshime të ndjeshme, të karakterizuara nga turbullirat dhe paqëndrueshmëria.

Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) janë partnere e jo rivale, gjë që është vërtetuar nga rezultatet e bashkëpunimit të tyre të frytshëm gjatë më shumë se 50 vjetëve të fundit, tha ai, duke vënë në dukje se Kina dhe BE-ja ndajnë qëndrime të ngjashme lidhur me promovimin e një bote shumëpolare e shumë çështje të tjera, dhe janë në gjendje të zgjidhin siç duhet mosmarrëveshjet tregtare nëpërmjet dialogut e bashkërendimit.

Veçanërisht në rrethanat e tanishme, të dyja palët duhet të forcojnë komunikimin, të nxisin besimin e ndërsjellë dhe të thellojnë bashkëpunimin, theksoi ai.

Vizitat e fundit në Kinë nga disa udhëheqës evropianë i kanë çuar ndjeshëm përpara marrëdhëniet Kinë-Evropë, tha Wang, duke shprehur shpresën se Franca do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv brenda BE-së dhe të ndihmojë në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Nga ana e tij, Bonne tha se Franca i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik me Kinën dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shteteve.

Bazuar në frymën e besimit  të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, Franca është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin strategjik me Kinën mbi çështjet e nxehta kryesore ndërkombëtare brenda kornizave dypalëshe e shumëpalëshe, për të përballuar së bashku sfidat dhe për të dhënë kontribut në ruajtjen e sigurisë e të qëndrueshmërisë globale, si edhe në promovimin e zhvillimit dhe lulëzimit të përbashkët, tha Bonne.

Ecja në të njëjtin drejtim dhe stabilizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve u shërbejnë plotësisht interesave si të BE-së, ashtu edhe të Kinës, dhe pala franceze është e gatshme të bëjë përpjekje aktive për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve BE-Kinë, vuri në dukje këshilltar diplomatik i presidentit të Francës.

Të dyja palët koordinuan gjithashtu qëndrimet dhe shkëmbyen pikëpamje mbi çështje të nxehta, si kriza e Ukrainës dhe situatat në Venezuelë e Iran.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us