Foto nga CMG
Arritjet e ekonomisë kineze përballë sfidave e vështirësive tregojnë qëndrueshmërinë dhe gjallërinë e fortë të saj, u shpreh të premten në një konferencë të rregullt shtypi Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.
Mao i tha këto kur iu përgjigj pyetjes së një gazetari, i cili, pasi vuri në dukje që bashkësia ndërkombëtare po u kushton vëmendje të madhe “dy sesioneve” të Kinës, veçanërisht objektivit të rritjes ekonomike të këtij viti, kërkoi të dinte se cili ishte komenti i saj lidhur me mendimin e disa analistëve, që besojnë se një arsye përse Kina e ka ulur objektivin e saj të rritjes është situata e trazuar në Lindjen e Mesme, e cila mund të ndikojë në furnizimin me energji, si edhe pasiguria në marrëdhëniet kino-amerikane.
Zëdhënësja u shpreh se dje kryeministri Li Qiang përmblodhi arritjet e periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar në raportin mbi punën e qeverisë. Prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës ka arritur një hop të ri, duke u ngjitur pothuajse në një nivel prej 10 trilionë juanësh çdo vit, me një rritje pesëvjeçare prej mbi 35 trilionë juanësh, baras me një ekonomi të nivelit të mesëm. Kjo arritje mbresëlënëse, sipas saj, u arrit në një situatë komplekse e të rëndë të goditjeve dhe sfidave të jashtme të ndërthurura dhe vështirësive të shumta të brendshme, duke demonstruar plotësisht qëndrueshmërinë dhe gjallërinë e fortë të ekonomisë kineze.
“Duke parë drejt së ardhmes, siç theksoi kryeministri Li Qiang, ne jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë e sfidat me të cilat përballemi. Megjithatë, kushtet mbështetëse dhe prirjet themelore për rritjen ekonomike afatgjatë të Kinës mbeten të pandryshuara, dhe epërsitë e saj institucionale si një fuqi e madhe vazhdojnë të theksohen. Për sa kohë që i shfrytëzojmë plotësisht epërsitë tona dhe i trajtojmë siç duhet sfidat, perspektivat e zhvillimit të Kinës do të jenë edhe më premtuese. Ne do ta zbatojmë plotësisht filozofinë e re të zhvillimit, do të përshpejtojmë formimin e një modeli të ri zhvillimi dhe do të përpiqemi të promovojmë zhvillimin me cilësi të lartë, duke siguruar si përmirësimin efektiv cilësor, ashtu edhe rritjen e arsyeshme sasiore të ekonomisë. Ne do ta zgjerojmë më tej hapjen me nivel të lartë, do t’i përmbahemi bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, do ta shtojmë vazhdimisht hapjen institucionale dhe do ta zgjerojmë qarkullimin ekonomik ndërkombëtar, në mënyrë që frytet e zhvillimit të Kinës t’u sjellin më shumë dobi popujve të të gjitha vendeve,” vuri në dukje Mao Ning.
Plani i zhvillimit ekonomik të Kinës demonstron vendosmëri strategjike, efektivitet të politikave, gjallëri zhvillimi dhe aftësi qeverisëse, duke siguruar qëndrueshmëri dhe siguri të vlefshme në një botë të trazuar, shtoi zëdhënësja.