Foto nga VCG
Kina ka krijuar sistemin arsimor më të madh dhe më cilësor në botë, tha Ministri i Arsimit i Kinës Huai Jinpeng të shtunën në Pekin, në një konferencë për shtyp në kuadër të sesionit të katërt të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.
Në këtë konferencë shtypi me temën e jetesës së popullit, Ministri Huai Jinpeng u shpreh se aktualisht në Kinë ka rreth 440 mijë shkolla në nivele të ndryshme me 18.7 milionë mësues, që u shërbejnë 280 milionë nxënësve.
Ministri Huai Jinpeng u shpreh se në arsimin bazë, Kina ka pasur përparime të dukshme. Përqindja e regjistrimit parashkollor arriti në 92.9%, që është dukshëm më e lartë se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) prej 84.7%. Vitin e kaluar, nga politika njëvjeçare e arsimit parashkollor falas përfituan 14 milionë fëmijë në mbarë vendin.
Kina ka forcuar gjithashtu sigurimin e arsimit për nxënësit në nevojë. Mbi 97% e fëmijëve që jetojnë së bashku me prindërit e tyre që largohen nga vendlindja për punë në qytet, po studiojnë në shkolla publike ose shkolla private të subvencionuara nga qeveria në qytete, tha Huai, duke shtuar se përqindja e regjistrimit në arsimin e detyrueshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara ruhet në mbi 97%. Sistemi kombëtar i ndihmës financiare për studentët ndihmon afërsisht 150 milionë studentë në vit.
Në anën e arsimit të lartë, Kina ka përgatitur 55 milionë talente gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025). Përqindja e regjistrimit në arsimin e lartë është dyfishuar.
Këto arritje përfaqësojnë përparime të reja në ofrimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe cilësore të arsimit publik, tha Ministri Huai, duke vënë në dukje se përqindja e regjistrimit për arsim bazë dhe treguesit kryesorë të Kinës kanë tejkaluar në mënyrë të gjithanshme nivelin mesatar të vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta. Arsimi parashkollor dhe arsimi i detyrueshëm kanë arritur standardet mesatare të vendeve me të ardhura të larta, shtoi ai.