Personalitete evropiane që reagojnë ndaj kërkesës përfshijnë diplomaten e BE-së Kaja Kallas (lart majtas), ministrin e Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares (lart djathtas), kryeministrin e Britanisë së Madhe Keir Starmer (posht djathtas) dhe ministrin gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius (posht majtas) / Reuters
Gjatë takimeve në fundjavë me gazetarët në Air Force One, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se administrata e tij po bisedonte me shtatë vende për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Rruga ujore, një kanal i rëndësishëm për një të pestën e furnizimit botëror me naftë, e cila në një moment ngushtohet në 40 kilometra larg Iranit, është vënë në shënjestër të Teheranit në përgjigje të sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit.
“Unë kërkoj që këto vende të vijnë dhe të mbrojnë territorin e tyre, sepse është territori i tyre”, tha Trump. “Është vendi nga i cili ata marrin energjinë e tyre.”
Edhe pse nuk pranoi të identifikonte shtatë qeveritë me të cilat administrata e tij ka kontaktuar, Trump tha se priste që shumë vende të dërgonin anije luftarake për të shoqëruar anijet që kalojnë nëpër ngushticë.
Megjithatë, faktet nuk shkojnë sipas dëshirës – dhe këtu shikojmë përgjigjen nga Evropa ndaj thirrjes për ndihmë në Hormuz.

Bashkimi Evropian
“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit”, tha shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. “Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë të hapur, në mënyrë që të mos kemi një krizë ushqimore, krizë fertilizuesish, krizë energjie në botë.”
Kallas tha se ministrat e jashtëm të BE-së, të mbledhur të hënën, vendosën kundër zgjatjes së mandatit të misionit të tyre të vogël detar në Detin e Kuq. “Në diskutimet tona pati një dëshirë të qartë për të forcuar këtë operacion, por për momentin nuk kishte vullnet për të ndryshuar mandatin”, tha Kallas.
Gjermania
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha të hënën se Gjermania nuk do të merrte pjesë me ushtrinë e saj në sigurimin e Ngushticës. “Çfarë pret Donald Trump nga një a dy fregata evropiane në Ngushticën e Hormuzit? Mos vallë Marina e fuqishme Amerikane nuk mund të arrijë atje e vetme?” pyeti Pistorius.
“Nuk shoh absolutisht asnjë arsye për ta bërë këtë. Nuk është lufta jonë. Ne nuk e filluam. Kjo luftë filloi pa asnjë konsultim paraprak. Ne nuk mund të jemi kudo, në çdo vend, duke mbështetur një luftë që nuk e filluam ne. Ne jemi të gatshëm të sigurojmë kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit në mënyrë diplomatike. Megjithatë, nuk do të ketë pjesëmarrje ushtarake.”
Kancelari gjerman Friedrich Merz përjashtoi gjithashtu çdo aktivitet ushtarak, duke thënë “Nuk ka pasur kurrë një vendim të përbashkët nëse do të ndërhyhej. Kjo është arsyeja pse nuk lind pyetja se si Gjermania mund të kontribuojë ushtarakisht. Ne nuk do ta bëjmë këtë.”

Britania e Madhe
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha të hënën se nuk do të “përfshihej në luftë më të gjerë me Iranin”, ndërsa përsëriti se po punonte me aleatët për të rihapur Ngushticën. Ai nuk përjashtoi asnjë formë veprimi, por këmbënguli se për këtë do të duhej rënë dakord me “sa më shumë partnerë të jetë e mundur”.
“Po punojmë me të tjerët për të hartuar një plan të besueshëm për Ngushticën e Hormuzit, për të siguruar që të mund të rihapim transportin detar dhe kalimin nëpër Ngushticë. Më lejoni të jem i qartë, kjo nuk do të ndodhë dhe nuk është parashikuar kurrë të jetë një mision i NATO-s”, u tha ai gazetarëve.
Franca
Presidenti Emmanuel Macron ka diskutuar një mision të mundshëm ndërkombëtar për të shoqëruar anijet “kur rrethanat e lejojnë”, por zyrtarët kanë theksuar nevojën për de përshkallëzimin e situatës së pari.
Të enjten, Macron tha se përqendrimi ushtarak i Francës në Mesdheun lindor është rreptësisht “mbrojtës” dhe këmbënguli se “Ne nuk jemi në luftë me askënd”.
Në platformën sociale X, ministria e jashtme franceze deklaroi: “Le të jemi të qartë: Nuk ka ndryshim në qëndrim. Grupi i sulmit të transportuesve të avionëve, mbetet i vendosur në Mesdheun Lindor. Misioni i Francës mbetet mbrojtës [dhe] ruajtës.”