Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takon ambasadorin në ikje të Indisë në Kinë Pradeep Kumar Rawat në Pekin, Kinë, 26 mars 2026. / Ministria e Jashtme kineze
Kina është e gatshme të punojë me Indinë për të zgjeruar bashkëpunimin me interes të ndërsjellë në fusha të ndryshme, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë takimit që pati të enjten në Pekin me ambasadorin në ikje të Indisë në Kinë, Pradeep Kumar Rawat.
Numri një i diplomacisë kineze vuri në dukje që marrëdhëniet dypalëshe janë kthyer në rrugën e duhur të përmirësimit dhe të zhvillimit.
Wang Yi, i cili është po ashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, theksoi se, si vende fqinje të mëdha dhe ekonomi në zhvillim, interesat e përbashkët të Kinës dhe Indisë i tejkalojnë shumë dallimet. Pa modernizimin e Kinës dhe të Indisë, nuk do të kishte modernizim global, shtoi ai.
Përkundër një peizazhi ndërkombëtar në ndryshim dhe kompleks, Wang Yi ripohoi gatishmërinë e Kinës për të punuar me Indinë për ta parë njëra-tjetrën si mundësi zhvillimi dhe jo si kërcënim, si partnere dhe jo si rivale, për të zgjeruar bashkëpunimin me interes të ndërsjellë në fusha të ndryshme, për të mbrojtur interesat e përbashkët të Jugut Global dhe për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh në kuadër të mekanizmave si BRICS-i, për të konsoliduar kështu momentin pozitiv në marrëdhëniet Kinë-Indi.
Ndërsa Rawat e falënderoi palën kineze për mbështetjen e fortë gjatë mandatit të tij dhe u shpreh që, si dy qytetërime të lashta dhe vende të mëdha, ruajtja e marrëdhënieve të qëndrueshme dypalëshe është në interes të ndërsjellë si të Indisë, ashtu edhe të Kinës, dhe ka po ashtu rëndësi globale.
Lidhur me mjedisin e trazuar ndërkombëtar, Rawat theksoi që India është e gatshme të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Kinën, të intensifikojë shkëmbimet në nivele të larta, të thellojë bashkëpunimin me interes të ndërsjellë, të promovojë bashkëpunimin shumëpalësh dhe të mbrojë së bashku paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin botëror.