Presidenti Xi dhe mbreti Philippe i Belgjikës shkëmbejnë urime për 55-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe

foto nga VCG

Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe mbreti Philippe i Belgjikës shkëmbyen të dielën urime për 55-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, shkruan “CGTN”.

Presidenti Xi theksoi se gjatë 55 viteve të marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Belgjika kanë ndjekur parimet e respektit reciprok, barazisë dhe bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë, duke zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme dhe kontakte gjithnjë e më të afërta mes popujve të dy vendeve. Ai shprehu dëshirën që partneriteti miqësor gjithëpërfshirës Kinë-Belgjikë të ngjitet në një nivel të ri dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Mbreti Philippe vlerësoi se Belgjika dhe Kina kanë ndërtuar një bashkëpunim të gjerë dhe të larmishëm. Ai kujtoi edhe vizitën shtetërore të presidentit Xi në Belgjikë në vitin 2014, duke shprehur bindjen se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi praktik do të vazhdojnë të zgjerohen në të ardhmen.

Marrëdhëniet diplomatike mes Belgjikës dhe Republikës Popullore të Kinës u vendosën më 25 tetor 1971. Belgjika sot e konsideron Kinën një partner të rëndësishëm ekonomik dhe politik, ndërsa thekson rëndësinë e tregtisë së balancuar dhe dialogut të hapur.

Belgjika ka një rol të veçantë për Kinën edhe sepse në Bruksel ndodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Për këtë arsye, marrëdhëniet Pekin-Brukseli zyrtar shpesh shihen edhe si urë komunikimi midis Kinës dhe Europës.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us