Ningbo, zhvillohet Dialogu Botëror i Kryebashkiakëve 2026

Foto nga Chinanews.com

Dialogu Botëror i Kryebashkiakëve për vitin 2026 , me temë “Hapje dhe ndërlidhje, mundësi të përbashkëta”, zhvillohet nga 2 deri më 5 nëntor në qytetin Ningbo të Kinës Lindore.

Rreth 200 të ftuar kinezë e të huaj, përfshirë kryebashkiakë të qyteteve të binjakëzuara me Ningbo-n, përfaqësues të misioneve diplomatike në Kinë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, jantë mbledhur për të diskutuar lidhur me zgjerimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e qyteteve.

Ningbo është një nga qendrat kryesore të hapjes së Kinës ndaj botës. Qyteti njihet për trashëgiminë e pasur kulturore dhe portin e tij që e lidh me tregjet ndërkombëtare, ndërsa renditet ndër qytetet kryesuese të vendit në fushën e prodhimit inteligjent.

Foto nga Chinanews.com

Dialogu do të përqendrohet në çështjet e përbashkëta të qyteteve, si zhvillimi i qëndrueshëm dhe tranzicioni i gjelbër, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë.

Sipas organizatorëve, aktiviteti do të përfshijë një takim kryesor, dy dialogë tematikë dhe tri veprimtari të shkëmbimeve kulturore.

Temat e dy dialogëve janë “Qeverisja inteligjente dhe bashkëjetesa: Inovacioni teknologjik transformon qytetet” dhe  “Qëndrueshmëria e zhvillimi: Ndërlidhja dhe bashkëpunimi mes qyteteve portuale”.

Gjatë takimit kryesor, pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi epërsitë e veçanta të qyteteve dhe ndërkombëtarizimin e tyre, bashkëpunimin e hapur dhe zhvillimin urban, si edhe shkëmbimet kulturore dhe forcimin e lidhjeve mes popujve. Në këtë takim do të publikohet zyrtarisht edhe dokumenti “Konsensusi i Ningbo-s për bashkëpunim dhe zhvillim”.

Foto nga Chinanews.com

Në kuadër të dialogëve tematikë, të ftuarit do të vizitojnë kompani të robotikës dhe zona portuale të Ningbo-s. Ata do të diskutojnë në mjedise të hapura për inovacionin teknologjik, qeverisjen urbane, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të qyteteve dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndërkohë, gjatë veprimtarive kulturore, pjesëmarrësit do të vizitojnë lagje historike, do të ndjekin shfaqje artistike dhe do të njihen nga afër me traditat e Ningbo-s, përfshirë kulturën e ruajtjes së librave, porcelanin celadon dhe trashëgiminë kulturore të Rrugës Detare të Mëndafshit.

 

CGTN

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni