Foto nga CMG
Në historinë kineze, kujtesa e luftës kundër agresionit japonez zë një vend tejet të rëndësishëm dhe delikat. Ajo lidhet jo vetëm me humbjet njerëzore dhe shkatërrimet e shkaktuara nga lufta, por edhe me qëndresën e popullit kinez, sakrificat dhe përpjekjet për të mbrojtur vendin në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Shtrembërimi i këtij realiteti prek ende thellë në ndërgjegjen kolektive të vendit. Dhe mbi të gjitha, lidhet shumë me faktin që krimet e luftës jo vetëm që nuk janë pranuar nga agresori, por po mohohen edhe sot.
Në rastin e Kinës, rrëfimet për pushtimin japonez, masakrat dhe vuajtjet e popullsisë civile dhe kanë një domethënie që shkon përtej rrëfimit. Ato lidhen me një periudhë të historisë së vendit për të cilën fajtorët edhe sot nuk duan të hedhin dritë mbi të vërtetën. Paraqitja e agresionit si një “realitet i rrethanave të kohës” mohon përgjegjësinë për vendimet dhe veprimet konkrete të palës japoneze.
Mes Kinës dhe Japonisë, ku kujtimi i luftës, përgjegjësia historike dhe mënyra e paraqitjes së së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë rrënjësisht edhe sot. Në perceptimet shoqërore dhe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, mjafton pak për të ndezur mëritë e vjetra dhe probleme të reja, pasi përmasat e vuajtjeve, shkatërrimi i jetëve dhe pasojat afatgjata për shoqërinë kineze nuk mund të anashkalohen.
Vivant: Një serial dhe një debat që kalon kufijtë e ekranit
Me aktorë të njohur, kosto të lartë dhe mbështetje nga vetë kryeministrja japoneze, seriali televiziv “Vivant” (sezoni i dytë), e transmetuar nga televizioni TBS, ka tërhequr vëmendje të madhe në Kinë pasi, skenari i tij bie ndesh me faktet historike. Seriali i paraqet personazhet kinezë si autorë të dhunës së pamëshirshme, ndërsa agjentët e inteligjencës së Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes (SDF) i portretizon si mbrojtës. E gjithë situata ka ngjallur kritika nga qytetarët në Kinë dhe jo vetëm. Ata argumentojnë se ky portretizim e përmbys realitetin historik, duke shpërfillur njëkohësisht mizoritë e kryera nga Japonia gjatë luftës. Skenari në fakt, ka shtrembëruar faktet historike, duke u kaluar fajësi kinezëve e duke krijuar kështu, sërish kundërshtime dhe pakënaqësi. Krahas këtyre, seriali jo shumë fshehurazi zbukuron veprimet e Japonisë jashtë vendit dhe mjegullon kufijtë e funksioneve të Forcave Vetëmbrojtëse.
Për këtë, komentet e shikuesve japonezë janë ndarë në dy grupe: një grup mendon se kjo telenovelë u injekton shikuesve japonezë një armiqësi ndaj Kinës, ndërsa një tjetër grup kritikon “standardin e dyfishtë nga kinezët”, duke thënë edhe se filmi “731” dhe “Studioja fotografike e Nankinit” janë “anti-japoneze” (dy filma kinezë me temë antifashiste dhe historike që trajtojnë krimet e ushtrisë japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore). Me pak fjalë, nëse Kina prodhon filma dhe reportazhe për luftën, pse të mos bëjë të njëjtën gjë edhe Japonia? Por ekziston një dallim i madh. Dy filmat kinezë të sipërpërmendur bazohen në histori reale, zbulojnë krimet e pushtuesve dhe janë për të kujtuar viktimat dhe për të parandaluar përsëritjen e tragjedive, gjë që është krejt ndryshe nga natyra e këtij skenari, i cili krijon konflikte pa bazë dhe me qëllim. Filmat nuk janë instrumenti i parë përmes të cilit tentohet të rishkruhet historia. Produkte televizive si Vivant, këndvështrimi historik që ato përcjellin, si dhe veprimet e atyre që vizitojnë “tempullin e kriminelëve të luftës” dhe ndërhyjnë në përmbajtjen e librave shkollorë, burojnë nga e njëjta qasje. Ish-kryeministri japonez Ishiba Shigeru pranoi: “Nuk ekziston ‘invazioni i Kinës ndaj Japonisë’. Ishte Japonia që e nisi luftën, çka shkaktoi dhjetëra milionë viktima”. Sipas mediave japoneze, edhe kryeministrja Sanae Takaichi, e përmendi serialin, duke thënë se e ka regjistruar dhe shpreson ta shikojë të gjithin gjatë pushimeve të fundvitit. Mbështetja e hapur e saj tregon se ku qëndron establishmenti politik i vendit.
Në fakt, për të pastruar imazhin fashist të së kaluarës, që nga viti 2015, Ministria e Jashtme e Japonisë ka shpenzuar miliarda nën pretekstin e “shpërndarjes së informacionit strategjik”, për të hedhur baltë ndaj Kinës dhe për të shtrembëruar faktet historike. Në buxhetin e vitit fiskal 2027, Ministria e Jashtme e Japonisë për herë të parë caktoi fonde speciale për AI për “përgjigje ndaj luftës njohëse”. Nga ana tjetër, e djathta japoneze vazhdon të nxitë ndryshimin e librave shkollorë.
Përgjigjja zyrtare kineze dhe reagimet
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Guo Jiakun mbajti një konferencë për shtyp, ku u shpreh se ky serial televiziv ekspozon edhe një herë praninë e vazhdueshme të një force brenda Japonisë që përpiqet të shpifë dhe të njollosë Kinën përmes produkteve kulturore, duke përhapur ndjenja anti-kineze. Kjo duhet të rrisë vigjilencën e bashkësisë ndërkombëtare dhe të intelektualëve brenda Japonisë. Kina i ka kërkuar vazhdimisht Japonisë të reflektojë mbi krimet e saj historike, të nxjerrë mësime seriozisht nga historia, të ndalojë së justifikuari ndërtimin e saj ushtarak dhe të mos shkojë më tej në rrugën e gabuar, tha Guo.
Në vitet e fundit, Japonia ka ndjekur një strategji: njëra dorë krijon teorinë e “kërcënimit kinez” për të hapur rrugën për ndryshimin e kushtetutës dhe zgjerimin e ushtrisë, ndërsa tjetra krijon thënie si “Japonia është viktimë e Luftës së Dytë Botërore” për të pastruar imazhin e agresionit. Seriali kontrovers ka bërë transmetuesi kinez CCTV, ta akuzojë produksionin për shtrembërim të historisë dhe për njollosje të qëllimshme të Pekinit.
Reagimet në mediat sociale kineze kanë qenë të shumta. Disa përdorues e kanë interpretuar serialin si një përpjekje për të nxitur mosbesim ndaj Kinës, ndërsa të tjerë kanë vënë në dukje se paraqitja e përsëritur e personazheve kineze si mizorë mund të ndikojë në mënyrën se si publiku i percepton ata. Kritika ka ardhur edhe nga disa komentues japonezë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mesazhin politik të dramës dhe mbi mënyrën se si ajo ndërthur veprimtarinë e inteligjencës me imazhin e Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes. Një përdorues kinez i internetit vuri në dukje se ndërsa përmbajtjet e mëparshme shmangnin temat e ndjeshme duke e vendosur historinë në një vend fiktiv, ky sezon e emërton drejtpërdrejt Kinën, duke sinjalizuar se narrativat anti-Kinë në argëtimin kulturor japonez kanë hequr maskën e tyre dhe janë bërë të hapura.
Debati është zgjeruar edhe përtej transmetimit. Sipas raportimeve të cituara në Kinë, vendimi i kompanisë japoneze Sanrio për të anuluar bashkëpunimin me serialin, pas polemikave rreth paraqitjes së personazheve kineze, u bë një tjetër element i diskutimit publik. Çështja tregon se reagimi ndaj një prodhimi kulturor mund të prekë jo vetëm audiencën, por edhe marrëdhëniet tregtare dhe reputacionin e kompanive të përfshira.
Problemi nuk është se kinemaja e interpreton historinë. Çdo vepër artistike përzgjedh personazhe, ndërton konflikte dhe përdor këndvështrime të caktuara. Problemi lind kur trillimi përdoret në mënyrë të përsëritur për të mjegulluar përgjegjësinë historike, për t’i paraqitur agresorët si viktima dhe për t’i vendosur viktimat në rolin e fajtorëve.
Historia, përgjegjësia dhe pozicioni i Kinës
Për të kuptuar ndjeshmërinë e shoqërisë kineze ndaj këtij debati, duhet të kthehemi te historia e luftës. Pushtimi japonez i solli shkatërrime të mëdha Kinës, humbje të jetëve njerëzore dhe vuajtje të jashtëzakonshme për popullsinë civile. Kujtesa e kësaj periudhe nuk është thjesht një rrëfim për operacionet ushtarake. Masakra e Nankinit dhe krimet e tjera të kryera gjatë agresionit japonez zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën popullore kineze. Për Kinën e sotme, njohja e kësaj historie përbën një pjesë të rëndësishme të vetëdijes kombëtare.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë u përmirësuan në një moment të rëndësishëm me normalizimin diplomatik të vitit 1972. Komunikata e Përbashkët Kinë–Japoni shënoi një hap drejt vendosjes së marrëdhënieve zyrtare dhe përfshiu shprehjen nga pala japoneze të ndërgjegjësimit për dëmet e mëdha që lufta i kishte shkaktuar popullit kinez. Ky zhvillim krijoi bazën për marrëdhënie të reja mes dy vendeve, por nuk i zhduku debatet rreth mënyrës se si duhej trajtuar e kaluara. Porse, që atëherë, shumë qëndrime, deklarata dhe sjellje kanë ndryshuar. Çështjet e teksteve shkollore, vizitave të politikanëve japonezë në faltoren Yasukuni (kriminel lufte), përkujtimit të viktimave dhe interpretimit të përgjegjësisë së Japonisë gjatë luftës kanë vazhduar të ndikojnë në perceptimet publike.
Këtu duhen dalluar dy çështje që lidhen, por nuk janë të njëjta. Njëra është përgjegjësia për mënyrën se si paraqitet historia në kulturën popullore. Tjetra është debati për politikat e mbrojtjes dhe rolin rajonal të Japonisë. Për Kinën, të dyja bëhen veçanërisht të ndjeshme kur paraqitja e së kaluarës shihet si pjesë e një prirjeje që minimizon agresionin e dikurshëm dhe e paraqet Kinën si kërcënimin kryesor të së tashmes.
Historia nuk ndryshohet duke e shmangur. Ajo mund të kuptohet më mirë vetëm kur dokumentet, dëshmitë dhe përvojat njerëzore trajtohen me seriozitet. Për Kinën, kjo është një çështje e dinjitetit kombëtar, por edhe një kërkesë që shkon përtej kufijve të saj: kujtesa e luftës ka rëndësi për të gjithë ata që besojnë se paqja duhet të mbështetet te e vërteta.
Debati merr një dimension tjetër kur lidhet me mënyrën se si Japonia e ka trajtuar trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore. Në këto kushte, çdo prodhim që perceptohet si një përpjekje për ta paraqitur Japoninë kryesisht si viktimë të historisë ndeshet me një ndjeshmëri që nuk mund të shpjegohet vetëm me politikën e ditës.
Së fundmi, një serial televiziv mund të zgjasë disa javë në ekran, por mesazhi i tij mund të mbetet shumë më gjatë në mendjen e publikut. Kjo është një nga arsyet pse drama japoneze Vivant ka shkaktuar reagime në Kinë. Debati nuk lidhet thjesht me personazhet, skenarin apo lirinë artistike. Në qendër qëndron mënyra se si paraqitet Kina, si interpretohet historia dhe çfarë ndodh kur një vepër artistike përdor të kaluarën për të ndërtuar një imazh të ri të së tashmes.
Përgjegjësia historike nuk kërkon që brezat e sotëm të mbajnë fajin personal për veprimet e paraardhësve. Ajo kërkon diçka tjetër: që shoqëritë të mos i mohojnë faktet, të mos i relativizojnë krimet e dokumentuara dhe të mos e përdorin harresën për të anashkaluar hesapet me të kaluarën. Pa kujtesë nuk ka përgjegjësi, pa përgjegjësi nuk ka pajtim dhe pa të vërtetën, paqja rrezikon të mbetet vetëm një fjalë.
AIGS