Foto nga VCG
Marina e Trupave të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit tha se Ngushtica e Hormuzit është bllokuar që nga mbrëmja e së shtunës dhe nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën e detare në këtë rrugë ujore.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia e saj zyrtare e lajmeve “Sepah News”, IRGC-ja tha se ky veprim pasoi shkeljen nga Shtetet e Bashkuara të angazhimit e tyre sipas armëpushimit dyjavor, i cili hyri në fuqi më 8 prill, dhe mosndërprerjen e bllokadës detare kundër anijeve dhe porteve iraniane.
Marina e IRGC-së u bëri thirrje të gjitha anijeve dhe pronarëve të tyre të ndjekin përditësimet zyrtare nëpërmjet kanalit të saj dhe Kanalit 16 VHF, frekuencës ndërkombëtare të fatkeqësive detare, sigurisë dhe thirrjeve, duke shtuar që deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump nuk kanë besueshmëri në ngushticë dhe në rajonin e Gjirit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG
IRGC-ja paralajmëroi që asnjë anije nuk duhet të lëvizë nga vendi i saj i ankorimit në Gjirin Persik ose në Gjirin e Omanit, dhe se çdo afrim drejt ngushticës do të konsiderohej “bashkëpunim me armikun” dhe do të shënjestrohej.
Irani kishte forcuar kontrollin mbi ngushticën që nga 28 shkurti, kur u ndaloi kalimin anijeve që i përkisnin ose ishin të lidhura me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të përbashkëta të të dy vendeve në territorin iranian. Shtetet e Bashkuara më vonë vendosën bllokadën e tyre në ngushticë, pasi negociatat e paqes me Iranin në Islamabad të Pakistanit dështuan.
Të premten, ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, tha se ngushtica do të mbetej “plotësisht e hapur” për anijet tregtare gjatë armëpushimit aktual me Shtetet e Bashkuara, në përputhje me njoftimin e armëpushimit në Liban.
Megjithatë, Trump-i u shpreh po të premten që bllokada detare amerikane “do të mbetet në fuqi të plotë”, duke vënë në dukje se ShBA-ja nuk do ta heqë atë derisa të bëjë një marrëveshje me Iranin. Ai tha më pas të shtunën që Irani nuk mund t’i “shantazhojë” Shtetet e Bashkuara me ngushticën.