Foto nga VCG
Kina ka publikuar masa të reja të mbështetjes me kredi për të mundësuar një fillim të qëndrueshëm të zhvillimit të tregtisë me cilësi të lartë gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), sipas një njoftimi të bërë publik të martën.
Qarkorja, e nxjerrë bashkërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Banka e Eksport-Importit e Kinës (“EximBank” e Kinës), përshkruan masat specifike në tre aspekte, përkatësisht promovimi i zhvillimit inovativ të tregtisë, zgjerimi i investimeve dypalëshe dhe përparimi i bashkëpunimit cilësor në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
Për tregtinë e jashtme, autoritetet do të përdorin mjete kreditimi për të eksploruar tregje të reja, për të nxitur forcat e reja shtytëse të rritjes dhe për të përmirësuar shërbimet për modelet e reja të biznesit, ndërsa për investimet e dyanshme do të merren masa për të tërhequr kapitalet e huaja, për të promovuar bashkëpunimin në zinxhirët industrialë dhe për të mbështetur krijimin e platformave të hapura, theksohet në këtë dokument.
Për të çuar më tej përpara bashkëpunimin cilësor në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, “EximBank” e Kinës inkurajohet të përmirësojë shërbimet financiare duke u fokusuar në fushat kryesore të bashkëpunimit ekonomik e tregtar shumëpalësh dhe dypalësh në kuadër të kësaj nisme.
Qarkorja vë në dukje gjithashtu që, për të ofruar shërbime financiare më të sakta, efikase dhe të fuqishme, autoritetet vendore të tregtisë dhe degët e “EximBank” të Kinës do të forcojnë më tej bashkërendimin e politikave dhe do të eksplorojnë sinergjinë midis sektorëve fiskalë, financiarë e tregtarë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.