Foto nga CAS
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, u nderua të hënën me titullin “profesor nderi” nga Universiteti i Akademisë Kineze të Shkencave (UCAS), gjatë një vizite në Akademinë Kineze të Shkencave (CAS), ku ai vizitoi një ekspozitë për arritjet më të fundit shkencore e teknologjike të vendit. Kryetari i CAS-it Hou Jianguo e shoqëroi kryeministrin Sánchez gjatë vizitës, ndërsa rektori i UCAS-it Zhou Qi i dorëzoi certifikatën e titullit të nderit.
Foto nga CAS
Gjatë vizitës, Sánchez-i tha se kishte fituar një kuptim të thelluar mbi risitë shkencore e teknologjike kryesore të arritura nga CAS-i në vitet e fundit. Ai zhvilloi gjithashtu diskutime me përfaqësues të shkencëtarëve që punojnë në fusha të tilla si astronomia optike, rrezatimi sinkrotron, shkenca hapësinore, inteligjenca e mishëruar dhe mbarështimi inteligjent. Kreu i qeverisë spanjolle vuri në dukje se CAS-i është një institucion kërkimor me famë botërore e me arritje të jashtëzakonshme në shkencë e teknologji, si edhe në arsim dhe kultivimin e talenteve.
Foto nga CAS
Sánchez u shpreh i nderuar për këtë titull dhe u angazhua të vazhdojë promovimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit më të thellë ndërmjet institucioneve shkencore dhe arsimore spanjolle dhe atyre të Akademisë Kineze të Shkencave, përfshirë UCAS-in, në dobi të popujve të të dy vendeve dhe të mbarë botës.